Lajme

Fuqizimi i të Rinjve, Lufta Kundër Diskriminimit

26 Shkurt, 2025
Description
Sot, nisëm edicionin e tretë të Shkollës Verore AADA, një program transformues treditor në kuadër të projektit Veprimi Kundër Diskriminimit për të Gjithë (AADA). Këtë vit, jemi krenarë që mirëpresim mbi 60 nxënës nga 15 shkolla në 11 komuna të Kosovës, të bashkuar për të sfiduar diskriminimin dhe për të promovuar gjithepërfshirjen.
Patëm nderin ta hapim këtë udhëtim së bashku me z. Nicola Scaramuzzo, Udhëheqës i Programit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat Themelore në Bashkimin Evropian në Kosovë, znj. Abetare Gojani, Drejtoreshë Ekzekutive e IPKO Foundation, dhe znj. Ardita Kabashi, Menaxhere e Projektit AADA në Qendrën për Arsim në Kosovë (KEC), së bashku me trajnerët tanë të përkushtuar dhe pjesëmarrësit tanë të rinj e inspirues.
E ndërtuar mbi Metodologjinë PONDER, Shkolla Verore AADA shërben si një inkubator për ide dhe veprim. Përmes sesioneve interaktive, nxënësit do të eksplorojnë mënyra inovative për të trajtuar diskriminimin dhe luftuar gjuhën e urrejtjes, duke krijuar përmbajtje dixhitale me ndikim, si animacione video, prezantime interaktive, lojëra, filma të shkurtër, komikë, artikuj dhe më shumë.
Gjatë ceremonisë së sotme, reflektuam gjithashtu mbi ndikimin e dy edicioneve të kaluara të Shkollës Verore, ku 120 të rinj janë trajnuar në Metodologjinë PONDER për të luftuar diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes.
___________
Projekti AADA financohet nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra për Arsim në Kosovë (KEC) në partneritet me IPKO Foundation.

Lajme