Për ne

Çfarë bëjmë ne

image

PËRMIRËSIMI I CILËSISË SË ARSIMIT

Kjo fushë përfshin programe trajnimi dedikuar mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave dhe gjithashtu trajnime që përfshijnë edhe palë tjera, përfshirë prindërit dhe nxënësit. Deri më tani, KEC ka zhvilluar 83 programe trajnimi përmes të cilave janë trajnuar më shumë se 35,000 pjesëmarrës. Shumica e këtyre programeve të trajnimit janë zhvilluar në kuadër të projekteve ndërkombëtare dhe janë aprovuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Përveç trajnimeve, kjo fushë përfshin edhe projekte dhe programe të financuara nga donatorët që synojnë të kontribuojnë në krijimin e një sistemi arsimor efektiv dhe gjithëpërfshirës. Së fundmi, KEC është përfshirë edhe në projekte dhe programe të cilat synojnë promovimin e edukimit medial të mësimdhënësve dhe nxënësve për qëllime arsimore, duke rritur kompetencat digjitale të tyre dhe duke kontribuar drejt përdorimit të sigurt të internetit. Si pjesë e përpjekjeve për digjitalizim, me mbështetjen e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, në vitin 2021 KEC lansoi platformën online të edukimit, e para e këtij lloji në Kosovë që ofron kurse online për mësimdhënësit, prindërit, nxënësit dhe përfituesit tjerë. Edhe pse në fillimet e saj dhe me vetëm katër kurse online, platforma deri më tani është përdorur nga rreth 14,000 përdorues.

image

TË DREJTAT E NJERIUT

KEC ka filluar zbatimin e projekteve lidhur me të drejtat e njeriut në vitin 2003, me fokus kryesor të drejtat e fëmijëve. Projekte të tilla kanë ndihmuar në zhvillimin e udhëzimeve dhe metodologjive për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në shkolla, parandalimin e dhunës, promovimin e politikave kundër diskriminimit në shkolla dhe shoqëri dhe aktivitete tjera që forcojnë të drejtat e fëmijëve. Protokolli për parandalimin e dhunës i zhvilluar në kuadër të këtij programi është miratuar nga Qeveria në vitin 2013 dhe tani po zbatohet në shkollat e Kosovës. Për më tepër, Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është miratuar në qershor 2019, i cili mundëson një mjedis të përshtatshëm për të vazhduar punën në këtë fushë. Projektet tjera në këtë fushë janë ato që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Këto projekte sigurojnë përfshirjen e këtyre komuniteteve në shoqëri, pjesëmarrjen e tyre aktive në arsim si dhe përmirësojnë cilësinë e shërbimeve arsimore që u ofrohen këtyre komuniteteve.

image

RRJETËZIMI DHE PJESËMARRJA NË POLITIKËBËRJE

Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve për të marrë pjesë në hartimin e politikave arsimore dhe të drejtave të njeriut, KEC ka zbatuar projekte të shumta në rrjetëzim dhe politikëbërje me organizata të ngjashme nga Kosova dhe vendet tjera. Projekte të tilla kanë ndihmuar organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit që të jenë aktive në formësimin e politikave arsimore në nivel qendror dhe lokal.

image

HULUMTIMET NË FUSHËN E ARSIMIT

Hulumtimet që bëhen nga KEC janë, rëndom, të karakterit aplikativ e jo akademik. Qëllimi është që tema të caktuara të arsimit dhe të shkencës të analizohen nga këndvështrimi i praktikave më të mira ose i analizës së gjendjes, duke dhënë rekomandime për përmirësime. Në këtë aspekt, KEC bën edhe studime që kanë për qëllim vlerësimin e projekteve të realizuara nga palët e treta, por edhe analiza që duhet ta informojnë vendimmarrjen për një çështje të caktuar.