Lajme

Konferencë “Integriteti dhe transparenca në arsimin e lartë: Sfidat dhe rrugët për përmirësim”

10 Tetor, 2024
Description
Qendra për Arsim e Kosovës, organizatë anëtare e Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), sot organizoi konferencën me temë “Integriteti dhe transparenca në arsimin e lartë: Sfidat dhe rrugët për përmirësim”, që shënoi aktivitetin përmbyllës të projektit “Përkrahja e arsimit të lartë përmes avokimit dhe kontributit të bazuar në hulumtim”, i cili është mbështetur nga Fondacioni i Ballkanit Perëndimor për Shoqëri të Hapur.
Konferenca mblodhi rreth 80 profesionistë dhe ekspertë të fushës, të cilët patën rast t’i ndanin përvojat e tyre dhe të bashkëbisedonin mbi parimet e integritetit akademik dhe transparencës si dhe bashkëpunimin në mes të institucioneve të arsimit të lartë publik dhe organizatave të shoqërisë civile.
Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknlogjisë dhe Inovacionit znj. Arbërie Nagavci në fjalën e saj theksoi se angazhimi dhe qëllimi i KITU përkojnë me prioritetet e MAShTI për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe rrjedhimisht për zhvillimin e shoqërisë kosovare.
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin me KITU dhe prezantoi sukeseset e AKA-së si institucion model për ngritjen e kulturës së cilësisë në arsimin e lartë.
KITU përgjatë viteve ka punuar në mënyrë aktive për t’i forcuar mekanizmat që nxisin llogaridhënien dhe për të promovuar një kulturë të besimit dhe përgjegjësisë akademike. Një nga çështjet për të cilat ka avokuar KITU ka qenë krijimi i pozitës së Ombudspersonit në universitetet publike, gjë që ka gjetur zbatim në Statutin e ri të Universitetit të Prishtinës. Prof. Dr. Xhavit Rexhaj prezantoi rezultatet e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës në këtë drejtim dhe konceptin për funksionimin e pozitës së Ombudspersonit në këtë institucion.
Diskutimet në tri panele u përqendruan në rolin e koalicioneve, vlerësimin e performancës së institucioneve të arsimit të lartë dhe nevojën për integritet akademik si një mjet për transformimin e moralit shoqëror.

Lajme