Lajme

Thirrje për aplikim: Mobilitet afatshkurtër nga Kosova në Slloveni

5 Mars, 2024
Description

Thirrje për aplikim

Qendra për Arsim e Kosovës – KEC në bashkëpunim me MeOut Group dhe me përkrahjen e Komisionit Evropian organizon raundin e parë të mobilitetit afatshkurtër përmes projektit “ Ngritja e kapaciteteve në shkollat profesionale” (ERASMUS-EDU-2022-CB-VET) për nxënësit e shkollave profesionale në Kosovë. Mobiliteti afatshkurtër do të organizohet në Lendava, Slloveni prej 20 Prill 2024 – 11 Maj 2024.
Ky projekt ka për qëllim të prezantojë programet ndërkombëtare të mobilitetit për shkolla profesionale në 4 shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.
Mobiliteti afatshkurtër përmban programin 3 javor të trajnimit profesional në fushën: Hoteleri/Gastronomi dhe profile tjera.

Objektivat e mobilitetit:

  • Forcimi i kompetencave dhe shkathtësive kyçe, në veçanti shkathtësitë digjitale dhe të gjuhës;
  • Përkrahja e zhvillimit të shkathtësive specifike për nevojat e tashme dhe të ardhme të tregut të punës;
  • Nxitja e kualitetit, transparencës dhe njohja e rezultateve të të nxënit nga mobiliteti sidomos përmes shfrytëzimit të mjeteve dhe instrumenteve Evropiane;
  • Forcimi i dimensioneve Evropiane të të mësuarit dhe të nxënit përmes:
    • Promovimit të vlerave të gjithëpërfshirjes dhe diversitetit, tolerancës, dhe pjesëmarrjes demokratike;
    • Promovimit të njohurive të përbashkëta Evropiane në trashëgimi dhe diversitet;
    • Përkrahja e zhvillimit të rrjeteve profesionale në Evropë.

Ne kërkojmë:

6 nxënës të cilët janë të gatshëm të marrin pjesë në mobilitetin afatshkurtër (3 javë) dhe të gatshëm të bëjnë praktikën në kompaninë nikoqire.
Ftohen të aplikojnë nxënës të shkollave profesionale të profilit: Hoteleri/Gastronomi apo edhe profileve tjera.

Kushtet për aplikim:

  • Të jeni nxënës të shkollave profesionale- klasa 10-11-12 (mosha 16-18) për mobilitet afatshkurtër
  • Të keni njohuri e gjuhës angleze
  • Të tregoni interes për të fituar përvojë dhe zhvillim profesional në një shtet tjetër
  • Të jeni të hapur ndaj mësimnxënies në një mjedis ndërkombëtar
  • Të jeni të gatshëm të punoni në mënyrë efektive me të tjerët.

Procesi i aplikimit:

  1. Plotësimi i online i aplikimit të cilin mund ta gjeni në këtë vegëz Kliko këtu
  2. Intervistë pranë ekipit vlerësues (vetëm nxënësit e përzgjedhur ftohen në intervistë
    Kur dhe ku? Në Slloveni: 20 Prill 2024 – 11 Maj 2024

Kushtet për nxënës:

Akomodimi – Akomodimi mbulohet nga programi. Nxënësit do të qëndrojnë në akomodim të përbashkët.
Transporti – Transporti nga Kosova në Greqi dhe anasjelltas mbulohet nga programi.
Sigurimi – Pjesëmarrësit do të kenë sigurimin shëndetësor të mbuluar nga programi.
Mëditjet – Pjesëmarrësit do të marrin mëditje për shpenzimet e ushqimit ose do t’i kenë shpenzimet e mbuluara.
Përkrahja e përgjithshme – Përkrahja nga mbikëqyrësi, stafi vendor dhe mësimdhënësi shoqërues do të jetë
gjatë gjithë kohës.

Data e fundit e aplikimit – 12 mars 2024, deri në orën 16.00.
Nëse ju duhet ndonjë informatë shtesë ju lutem mos hezitoni të na kontaktoni në akabashi@kec-ks.org.
Ky projekt është pjesë e programit ERASMUS+ e financuar nga Komisioni Evropian.

Lajme