Përfundoi procesi i shpërndarjes së pakove shkollore për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Shpërndarja është bërë në kuadër të projektit “Përkrahja e BE-së për Zbatimin e Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian 2 – Arsim për Integrim” (EU SIMRAES 2) i cili është i financuar nga Zyra e Bashkimit Evpropian në Kosovë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe implementohet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
Përfitues të pakove shkollore janë fëmijët e nivelit parafillor, fillor dhe të mesëm të ulët nga 10 lokalitete në komunat: Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Rahovec, Istog, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Numri i përgjithshëm i përfituesve është 1600. Këto pako do të ndihmojnë fëmijët që t’i plotësojnë nevojat e tyre mësimore gjatë vitit shkollor 2018/19. Pakot përmbajnë materiale shkollore si: çantë shkollore, fletore, lapsa, stilolapsa, set vizoresh, ngjyra të ndryshme dhe materiale tjera që u duhen nxënësve për të zhvilluar aktivitetet mësimore.
Në ceremonitë e organizuara nëpër qendrat mësimore të pranishëm ishin drejtorë komunalë të arsimit, zyrtarë për komunitete, drejtorë shkollash, mësimdhënës si dhe prindër bashkë me fëmijët e tyre.