Për projektin ARISE
ARISE (Action for Reducing Inequalities in Education / Iniciativa për zvogëlimin e pabarazive në arsim) është një Projekt rajonal 4 vjeçar që ka filluar të zbatohet në mars 2020 dhe që financohet nga Instrumenti për Mbështetjen Para Anëtarësimit (IPA) të Bashkimit Evropian.
Qëllimi i përgjithshëm i projektit është forcimi i kapaciteteve të OShC-ve (si të organizatave partnere të zbatimit të projektit ashtu edhe të organizatave me bazë në komunitet (grassroots)) për zhvillimin e politikave dhe avokimin në fushën e barazisë në arsim përmes bashkëpunimit rajonal dhe ngritjes së koalicioneve kombëtare. Përmes projektit, çështja e varfërisë dhe e nxënësve të prekur nga varfëria do të trajtohet në dy nivele: nga njëra anë, politikat arsimore dhe sociale që mund të ofrojnë zgjidhje afatgjata për krijimin e barazisë në arsim, dhe nga ana tjetër ndërhyrjet pilot në nivel shkolle që do të trajtojnë nevojat emergjente të nxënësve me status socio-ekonomik (SSE) të ulët, duke ofruar gjithashtu mësime dhe sugjerime për politikat.
Për më shumë detaje rreth projektit ju lutem shfletoni https://www.arisenetwork.eu/en/ apo https://www.facebook.com/ARISEproject
THIRRJE PËR SHKOLLAT
Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, në kuadër të projektit ARISE fton shkollat fillore dhe të mesme të ulëta të aplikojnë për të marrë pjesë në aktivitetet e projektit ARISE.
Projekti ARISE synon të pilotojë intervenimin me bazë në shkollë për të adresuar nevojat e nxënësve me status të ulët socio-ekonomik.
Aktivitetet që parashihen të zbatohen në shkollat e përzgjedhura janë:
-Krijimi i Ekipit Shkollor të Veprimit – EShV;
-Ofrimi i Programit të Zhvillimit të Shkollës (School Development Programme – SDP);
-Trajnimi dhe përkrahja për Ekipin Shkollor të Veprimit për të dizajnuar Planin e Veprimit për adresimin e nevojave të nxënësve me status të ulët socio-ekonomik, në linjë me Planin Zhvillimor të Shkollës;
-Ofrimi i përkrahjes për zbatimin e Planit të Veprimit përmes përkrahjes financiare në vlerën 2000 EUR;
-Përkrahje e vazhdueshme nga Mentorët shkollor përmes vizitave mentoruese, takimeve konsultative dhe aktivitete tjera përkrahëse;
-Organizimi i Ngjarjeve të përbashkëta për shkollat përfituese për të siguruar ndarje të përvojave, të mësuar të përbashkët, diskutim për mësimet e nxjerra dhe fuqizim të bashkëpunimit në mes të shkollave;
-Zhvillimi i një studimi të ndikimit (përfshirë një studim bazë para ndërhyrjeve në shkollë dhe një studim përfundimtar pas përfundimit të ndërhyrjeve).
Për t’u kualifikuar për pjesëmarrje në projekt, shkolla duhet:
-Të jetë shkollë publike e nivelit fillor dhe të mesëm të ulët;
-Të jetë shkollë që nuk ka marrë pjesë në aktivitetet e mëhershme të projektit ARISE;
-Të jetë me lokacion në komunë që karakterizohet me përqindje të lartë të nxënësve me status të ulët socio-ekonomik;
-Të demonstrojë gatishmërinë e menaxhmentit të shkollës dhe stafit të shkollës për t’u përfshirë në trajnimet dhe aktivitetet që do të ofrohen nga projekti;
-Të vlerësojë dhe inkurajojë përfshirjen aktive dhe bashkëpunimin me aktorë të ndryshëm të shkollës në procesin e hartimit dhe zbatimit të Planit të Veprimit të Shkollës;
-Të jetë e gatshme të shkëmbejë praktika pozitive, sfida dhe mësime të nxjerra me shkollat tjera të projektit përmes aktiviteteve të përbashkëta të projektit.
Shkollat e interesuara mund të aplikojnë duke dorëzuar Formën e Aplikimit që mund të shkarkohet këtu në e-mail adresën arise@kec-ks.org deri me datën 13 shtator 2021, ora 16.30.
Për informata shtesë, mund të na kontaktoni në e-mail adresën arise@kec-ks.org.