Lajme

Shkëmbim përvojash për mirëqenien dhe shëndetin mendor të fëmijëve

16 Nëntor, 2026
Description
Më 9–11 nëntor 2026, përfaqësues nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) morën pjesë në aktivitetin e shkëmbimit të përvojave dhe mësimeve të nxjerra (PLA) gjatë zbatimit të projektit “CHAVORE”. Në kuadër të këtij aktiviteti u mbajt edhe takimi përmbyllës nga partnerët e projektit. Aktiviteti ofroi mundësi për të mësuar nga praktikat e njëri-tjetrit dhe për të reflektuar mbi rolin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve dhe familjeve në mbështetjen e mirëqenies dhe shëndetit mendor të fëmijëve romë në fëmijërinë e hershme.
Pjesë e aktivitetit ishin edhe vizita në institucionin parashkollor në Medzev përkatësisht në shkollën në Jurské të Sllovakisë, që mundësuan njohjen nga afër me praktikat e edukatorëve, mësimdhënësve dhe prindërve për të krijuar mjedise ku çdo fëmijë ndihet i sigurt, i dëgjuar dhe i mirëpritur.
Shkëmbimi nxori në pah edhe rëndësinë e aktiviteteve të përbashkëta, të cilat krijuan më shumë mundësi që prindërit, të përfshihen, të luajnë, të mësojnë dhe të kalojnë kohë me fëmijët e tyre. Përvojat e ndara treguan se këto aktivitete ndihmuan në forcimin e besimit dhe të lidhjeve ndërmjet familjeve dhe institucioneve arsimore, duke e bërë mbështetjen për fëmijët një përpjekje të përbashkët.
Mësimet dhe përvojat e shkëmbyera gjatë PLA-së përforcuan një mesazh të rëndësishëm: kujdesi, besimi dhe bashkëpunimi ndërtohen përmes veprimeve të përditshme. Ato shërbejnë si frymëzim dhe udhërrëfyes për të vazhduar mbështetjen ndaj fëmijëve, familjeve dhe profesionistëve, në mënyrë që praktikat e zhvilluara në kuadër të CHAVORE të qëndrojnë dhe të pasurohen edhe përtej projektit.
_____________________
Projekti CHAVORE financohet nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nga konsorciumi i përbërë nga anëtarë të ISSA – International Step by Step Association, i udhëhequr nga Pedagoški inštitut/Educational Research Institute në të cilin bëjnë pjesë edhe Open Academy Step by Step, Partners Hungary Alapítvány, Skoladokoran – Wideopenschool, KEC dhe ISSA Hub.

Lajme