Lajme

FTESË PËR SHPREHJE INTERESI: PËRZGJEDHJA E 10 SHKOLLAVE PËR PJESËMARRJE NË PROJEKTIN KIST

25 Maj, 2022
Description

Për projektin KIST

KIST (Kosovo Innovative Social Transformation / Transformimi shoqëror inovativ në Kosovëështë projekt njëvjeçar që do të fillojë zbatimin nga 1 qershor 2022, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës-KEC në partneritet me Dokufest.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është promovimi i edukimit digjital në arsim, duke ofruar udhëzime dhe materiale digjitale për shkollat, si dhe aktivitete kulturore e artistike, me synim rritjen e pjesëmarrjes aktive të nxënësve në jetën qytetare, adresimin e dezinformimit, dhe zhvillimin e të menduarit kritik në përballjen me sfidat e shekullit 21.

THIRRJE PËR SHKOLLAT

Qendra për Arsim e Kosovës – KEC dhe Dokufest, në kuadër të projektit KIST ftojnë shkollat e mesme të ulëta nga komunat: Ferizaj, Gjilan, Lipjan, Mitrovicë, Obiliq, Podujevë, Prizren, Suharekë, Viti dhe Vushtrri të aplikojnë për të marrë pjesë në aktivitetet e projektit KIST.

Aktivitetet kryesore që parashihen të zbatohen në partneritet me shkollat e përzgjedhura janë:

  1. -Krijimi i klubeve të shkollës për edukim medial;
  2. -Organizimi i shkollës verore në kuadër të “DokuKids” me aktivitete të ndryshme jashtëkurrikulare mbi edukimin digjital;
  3. -Ofrimi i filmave nga libraria digjitale dhe i udhëzimeve për përdorim nga mësimdhënësit në shkolla dhe aktivitete diskutimi me nxënësit;
  4. -Trajnime për Klubet e Edukimit Medial mbi krijimin dhe përdorimin e përmbajtjeve digjitale;
  5. -Organizimi i Sfidës së Transformimit Shoqëror Digjital për nxënës, në kategori të ndryshme krijuese për të trajtuar dezinformimin, lajmet e rreme, e tema të ngjashme, duke ofruar pajisje teknologjike në vlerë prej 500-1000 EUR për tri vendet e para dhe shpërblime për pjesëmarrje edhe për vendet jofituese;
  6. -Përkrahje e vazhdueshme nga projekti për mësimdhënësit dhe nxënësit pjesëmarrës në aktivitetet e projektit;
  7. -Organizimi i ngjarjeve të përbashkëta për shkollat përfituese për të siguruar ndarje të përvojave, të mësuar të përbashkët, diskutim për mësimet e nxjerra dhe fuqizim të bashkëpunimit në mes të shkollave.

Për t’u kualifikuar për partneritet në projekt, shkolla duhet:

  1. -Të jetë shkollë publike e nivelit të mesëm të ulët;
  2. -Të dëshmojë gatishmëri të DKA-së, menaxhmentit dhe stafit për të përkrahur dhe për të marrë pjesë në aktivitetet që do të ndërmerren në kuadër të projektit;
  3. -Të jetë e gatshme të shkëmbejë praktika pozitive, sfida dhe mësime të nxjerra me shkollat e tjera të projektit përmes aktiviteteve të përbashkëta të projektit;
  4. -Të dëshmojë praninë e praktikave gjithëpërfshirëse;
  5. -Të ketë përvoja me projekte apo programe tjera të mëhershme (e preferueshme) me aktivitete jashtëkurrikulare.

Shkollat e interesuara mund të aplikojnë duke dorëzuar Formën e Aplikimit në e-mail adresën vbiba@kec-ks.org deri me datën 3 qershor 2022, ora 16.30.

SHKARKO FORMËN E APLIKIMIT

Për informata shtesë, mund të na kontaktoni në e-mail adresën vbiba@kec-ks.org

Lajme