Lajme

Përmbyllja e projektit “AADA – Veprimi kundër diskriminimit për të gjithë”

10 Dhjetor, 2025
Description
 Më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shënuam përmbylljen e projektit “AADA – Veprimi kundër diskriminimit për të gjithë”, një nismë që për tre vite ka bashkuar shkolla, institucione dhe komunitete në një qëllim të përbashkët: ndërtimin e një mjedisi arsimor më të drejtë, më të barabartë dhe më gjithëpërfshirës.
Falë angazhimit të 15 shkollave dhe 11 komunave përfituese, projekti ka arritur të krijojë një lëvizje të vërtetë të nxënësve kundër diskriminimit. Me themelimin e 15 klubeve shkollore dhe përfshirjen aktive të 150 nxënësve udhëheqës, projekti ka ndihmuar nëshndërrimin e idetve të të rinjve në veprime konkrete, duke mundësuar hapësira ku debati, solidariteti dhe respekti janë vlerat që udhëheqin.
Me mbi 10,600 nxënës të përfshirë, 135 takime ndërshkollore, 45 plane veprimi, 90 vizita monitoruese, dy fushata sociale dhe 45 përmbajtje digjitale të zhvilluara nga vetë nxënësit, projekti ka dëshmuar se kur ekziston përkushtimi e bashkëpunimi, ndryshimi bëhet i prekshëm. Po ashtu, raportimi dhe trajtimi i rasteve të diskriminimit në koordinim me shkollat, Avokatin e Popullit dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e vërteton se nxitja e barazisë kërkon veprim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim institucional.
Kjo ditë simbolike na rikujton se të drejtat e njeriut nuk janë vetëm parime universale, por detyrime që secili prej nesh i mban në përditshmëri. AADA ka dëshmuar se ndryshimi fillon me edukimin, me hapjen e dyerve të dialogut dhe me fuqizimin e të rinjve që kërkojnë dhe ndërtojnë një Kosovë pa paragjykim.
Në emër të të gjithë partnerëve të projektit u shprehim mirënjohje të gjithëve që kontribuan: mësimdhënësve, drejtorëve, nxënësve, prindërve dhe institucioneve që i qëndruan pranë nismës nga fillimi deri në përmbyllje.
Le ta shfrytëzojmë këtë ditë dhe arritjet e këtij projekti si motivim për të vazhduar përpjekjet kundër çdo forme të diskriminimit dhe për të ndërtuar shkolla ku secili ndihet i respektuar, i dëgjuar dhe i vlerësuar.
____________________
Projekti Action Against Discrimination for All – AADA financohet nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës KEC në partneritet me IPKO Foundation tani The Foundation House

Lajme