🇽🇰
REPUBLIKA E KOSOVËS REPUBLIC OF KOSOVO
Profili i sistemit arsimor të Republikës së Kosovës

Hyrje

Përditësimi i fundit: Gusht 2026
Në këtë faqe

1. Tiparet kryesore të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës

Ky seksion paraqet në mënyrë të përmbledhur organizimin dhe funksionimin e sistemit arsimor të Kosovës, duke përfshirë parimet themelore, strukturën e qeverisjes, veçoritë dalluese dhe prioritetet aktuale të zhvillimit të tij.

Përshkrimi i shkurtër i sistemit

Sistemi arsimor i Republikës së Kosovës përbën një kornizë të integruar të arsimit, aftësimit dhe kualifikimeve, që synon të sigurojë gjithëpërfshirje në arsim, zhvillim të kompetencave dhe mundësi progresi në nivele të ndryshme të të nxënit. Ai përfshin arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, si dhe format e arsimit dhe aftësimit për të rritur.

Sistemi mbështetet në një kuadër të gjerë ligjor dhe institucional, ku përgjegjësitë ndahen ndërmjet nivelit qendror, komunave dhe vetë institucioneve arsimore. Ministria përgjegjëse për arsimin udhëheq politikat, standarde, hartimin e kornizës ligjore dhe zhvillimin e sistemit në të gjitha nivelet, komunat kanë përgjegjësi kryesore për administrimin e arsimit publik parauniversitar, ndërsa institucionet e arsimit të lartë (IAL) gëzojnë autonomi institucionale. Krahas arsimit publik, në të gjitha nivelet mund të funksionojnë edhe institucione private, sipas kushteve të licencimit, akreditimit dhe monitorimit të përcaktuara me legjislacion.

Sistemi lidhet edhe me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK), e cila përfshin kualifikime nga arsimi i përgjithshëm, arsimi dhe aftësimi profesional dhe arsimi i lartë, si dhe kualifikime të fituara përmes rrugëve formale, joformale dhe informale të të nxënit, në përputhje me kriteret dhe procedurat përkatëse.

Parimet themelore

Në nivel të përgjithshëm, sistemi mbështetet në këto parime kryesore që dalin nga kuadri kushtetues dhe ligjet kryesore që rregullojnë arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë:

  • E drejta për arsim – asnjë personi nuk mund t’i mohohet e drejta për arsimim, ndërsa shkollimi themelor garantohet pa pagesë.

  • Mundësitë e barabarta dhe mosdiskriminimi – qasja dhe përparimi në arsim duhet të sigurohen pa diskriminim mbi baza gjinore, etnike, gjuhësore, fetare, sociale, të aftësisë së kufizuar, bindjeve ose rrethanave të tjera personale e familjare.

  • Gjithëpërfshirja dhe mbështetja sipas nevojave – shërbimet arsimore duhet të planifikohen dhe ofrohen në mënyrë që t’u përgjigjen aftësive dhe nevojave specifike të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve, përfshirë grupet e cenueshme dhe personat me nevoja të veçanta arsimore.

  • Të drejtat e komuniteteve dhe diversiteti kulturor e gjuhësor – institucionet arsimore dhe autoritetet publike duhet të respektojnë dhe avancojnë të drejtat arsimore të komuniteteve, si dhe të kultivojnë njohuritë për kulturën, historinë dhe gjuhën e komuniteteve.

  • Të nxënit gjatë gjithë jetës – sistemi njeh rëndësinë e arsimimit dhe aftësimit gjatë gjithë jetës, përfshirë format formale, joformale dhe informale të të nxënit.

Përveç këtyre ekzistojnë edhe parime që janë specifike për nivelet e ndryshme të arsimit.

Qeverisja e sistemit

Qeverisja e sistemit arsimor të Kosovës është e ndarë ndërmjet nivelit qendror, nivelit komunal dhe institucioneve arsimore. Në nivelin qendror, përgjegjësitë kryesore i ushtron ministria përgjegjëse për arsimin, e cila udhëheq politikat publike, propozon legjislacionin dhe dokumentet strategjike, nxjerr akte nënligjore, përcakton standarde dhe mbikëqyr zbatimin e politikave në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme, arsimit parauniversitar, arsimit të lartë, shkencës dhe inovacionit shkencor.

arsimin parauniversitar, ministria mban përgjegjësi për planifikimin e sistemit, përcaktimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë. Kompetencat e saj përfshijnë përcaktimin e rezultateve të niveleve të arsimit, autorizimin e dhënies së kualifikimeve, zhvillimin e kurrikulës, licencimin e mësimdhënësve, zhvillimin e sistemit të menaxhimi të informacionit në arsim, përcaktimin e kritereve për vlerësimin e nxënësve dhe organizimin e vlerësimeve të jashtme. Në arsimin e lartë, ministria ka rol në planifikimin e zhvillimit të sektorit, licencimin e institucioneve të arsimit të lartë, rregullimin e statusit të tyre, financimin publik, njohjen akademike dhe profesionale të kualifikimeve të fituara jashtë vendit dhe mbështetjen financiare për studentët.

Në nivel qendror funksionojnë edhe agjenci të specializuara. Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr) është përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional dhe të arsimit të të rriturve. Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) zhvillon dhe mirëmban KKK-në, rregullon kualifikimet jashtë arsimit të lartë, akrediton institucionet që ofrojnë ose vlerësojnë kualifikime dhe siguron cilësinë e proceseve që çojnë në kualifikime me njohje kombëtare. Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është përgjegjëse për sigurimin e jashtëm të cilësisë në arsimin e lartë, përfshirë akreditimin, riakreditimin, validimin, monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së IAL-ve dhe programeve të tyre të studimit.

Në nivel lokal, komunat kanë kompetenca të gjera në arsimin parauniversitar, në përputhje me standardet e përcaktuara në nivel qendror. Ato janë përgjegjëse për ofrimin e arsimit publik në territorin e tyre, administrimin e institucioneve arsimore, regjistrimin e nxënësve, punësimin e mësimdhënësve dhe personelit tjetër, zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve sipas procedurave ligjore, pagesën e personelit, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës shkollore, etj. Për zbatimin e këtyre përgjegjësive, komunat organizojnë drejtoritë komunale të arsimit dhe angazhojnë personelin mbështetës profesional.

nivel shkolle, qeverisja dhe administrimi mbështeten në organet dhe funksionet e përcaktuara me ligj. Këshilli drejtues është organi qeverisës i institucionit arsimor, ndërsa drejtori është përgjegjës për udhëheqjen dhe menaxhimin e përditshëm të shkollës. Këshilli i prindërve dhe këshilli i nxënësve mundësojnë pjesëmarrjen aktive të prindërve dhe nxënësve në jetën e shkollës, ndërsa organet profesionale të shkollës mbështesin planifikimin, zbatimin dhe përmirësimin e procesit edukativo-arsimor.

Qeverisja e arsimit të lartë rregullohet kryesisht përmes ligjit dhe statuteve të institucioneve të arsimit të lartë. Në sektorin publik, statuti përcakton organizimin, organet drejtuese, procedurat e vendimmarrjes, përgjegjësitë akademike dhe administrative, si dhe marrëdhëniet ndërmjet organeve të institucionit. Në universitetet publike, organet kryesore zakonisht përfshijnë këshillin drejtues, senatin dhe rektorin: këshilli drejtues ushtron funksione qeverisëse dhe strategjike, senati trajton çështjet akademike, ndërsa rektori është autoriteti kryesor menaxhues dhe përfaqësuesi institucional i universitetit. Në nivel të njësive akademike, funksione drejtuese ushtrojnë dekanët, këshillat e fakulteteve dhe strukturat e tjera të përcaktuara me statut.

Veçoritë dalluese të sistemit

Në sistemin arsimor të Kosovës funksionojnë paralelisht institucionet e arsimit publik dhe privat në të gjitha nivelet e arsimit. Arsimi publik financohet dhe administrohet nga institucionet publike, sipas ndarjes së përgjegjësive ndërmjet nivelit qendror, komunave dhe institucioneve arsimore. Arsimi privat lejohet si në arsimin parauniversitar, ashtu edhe në arsimin e lartë, por ushtrimi i veprimtarisë kushtëzohet me licencim dhe, varësisht nga niveli dhe lloji i programit, edhe me akreditim ose validim nga organet përkatëse.

Sistemi arsimor pasqyron edhe karakterin shumëgjuhësor të Republikës së Kosovës. Arsimi publik ofrohet në gjuhët zyrtare dhe, sipas kushteve të përcaktuara me ligj, edhe në gjuhët e komuniteteve. Ligji për arsimin parauniversitar njeh të drejtën e nxënësve që të arsimohen në gjuhën e tyre të mësimit dhe përcakton se dokumentet zyrtare të lëshuara nga institucionet arsimore duhet të jenë në gjuhët zyrtare, ndërsa për nxënësit që arsimohen në gjuhë jozyrtare dokumentet mund të ruhen dhe lëshohen edhe në gjuhën e tyre të mësimit. Në këtë kuadër, sistemi përfshin mësim në gjuhën shqipe, gjuhën serbe, gjuhën boshnjake dhe gjuhën turke.

Një veçori e sistemit është organizimi i arsimit në gjuhën serbe. Në nivelin parauniversitar, shkollat që zhvillojnë mësim në gjuhën serbe mund të përdorin plane e programe dhe tekste të hartuara nga minisitria përgjegjëse për arsimin e Republikës së Serbisë, pas njoftimit të ministrisë përgjegjëse për arsimin në Republikën e Kosovës. Në arsimin e lartë, ligji parasheh regjim të veçantë për Universitetin e Mitrovicës Veriore, i cili përkufizohet si institucion publik autonom i arsimit të lartë. Komuna e Mitrovicës Veriore ka kompetenca të posaçme në raport me këtë universitet, përfshirë pjesëmarrjen në bordin e tij dhe përgjegjësi lidhur me sigurimin e objekteve dhe financimit.

Prioritetet aktuale

Prioritetet aktuale të zhvillimit të sistemit arsimor në Kosovë përcaktohen kryesisht nga Strategjia e Arsimit 2022–2026, e cila është dokumenti kryesor sektorial për këtë periudhë. Strategjia është e organizuar në pesë fusha prioritare, katër që mbulojnë nivelet kryesore të arsimit: edukimin në fëmijërinë e hershme, arsimin parauniversitar, arsimin dhe aftësimin profesional dhe arsimin për të rritur, si dhe arsimin e lartë, dhe fusha e pestë trajton digjitalizimin e arsimit.

edukimin në fëmijërinë e hershme, prioritet është rritja e përfshirjes dhe qasjes së barabartë, përmes zgjerimit të kapaciteteve, përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, zhvillimit të kornizës ligjore e kurrikulare dhe forcimit të koordinimit ndërsektorial. Në arsimin parauniversitar, theksi vendoset në ngritjen e cilësisë përmes konsolidimit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë, përmirësimit të menaxhimit dhe llogaridhënies, zbatimit efektiv të kurrikulës, zhvillimit profesional të mësimdhënësve, përmirësimit të vlerësimit të nxënësve dhe përdorimit të të dhënave për vendimmarrje.

arsimin dhe aftësimin profesional dhe arsimin për të rritur, prioritet është harmonizimi i ofertës arsimore me zhvillimet teknologjike, kërkesat e tregut të punës dhe mësimin gjatë gjithë jetës. Kjo përfshin rishikimin e programeve, zhvillimin e shkathtësive profesionale, digjitale dhe ndërmarrëse, forcimin e mësimit praktik dhe zgjerimin e mundësive për arsimin e të rriturve. Në arsimin e lartë, prioritetet lidhen me përmirësimin e cilësisë, integritetit dhe konkurrueshmërisë, përfshirë sigurimin e cilësisë, akreditimin, qeverisjen, ndërlidhjen me tregun e punës, kërkimin shkencor dhe ndërkombëtarizimin.

Një prioritet ndërsektorial është digjitalizimi i arsimit. Strategjia parasheh zhvillimin e sistemeve të integruara të të dhënave, materialeve mësimore digjitale, infrastrukturës teknologjike dhe kompetencës digjitale të nxënësve, studentëve, mësimdhënësve dhe personelit arsimor.

2. Nivelet e arsimit dhe të kualifikimeve

Ky seksion paraqet strukturën dhe progresionin e arsimit dhe të kualifikimeve në Kosovë, sipas niveleve të Klasifikimit Standard Ndërkombëtar të Arsimit (ISCED) dhe Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve.

Nivelet sipas ISCED

Sistemi arsimor i Kosovës organizohet nga niveli parashkollor deri te arsimi i lartë sipas niveleve të Klasifikimit Standard Ndërkombëtar të Arsimit (ISCED):

ISCED 0 – Edukimi në fëmijërinë e hershme. Ky nivel përfshin edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme para hyrjes në shkollën fillore, zakonisht për fëmijët e moshës 0–5/6 vjeç. Ai përfshin shërbimet për grupmoshat e hershme dhe klasën parafillore, e cila shërben si fazë përgatitore për hyrje në arsimin fillor. Kalimi kryesor nga ky nivel është regjistrimi në klasën e parë të shkollës fillore, zakonisht në moshën gjashtëvjeçare.

ISCED 1 – Arsimi fillor. Arsimi fillor përfshin klasat 1–5 dhe zgjat pesë vjet. Mosha tipike e nxënësve është rreth 6–10 vjeç. Ky nivel vendos bazat e shkrim-leximit, matematikës, komunikimit, njohjes së mjedisit dhe zhvillimit të kompetencave fillestare. Pas përfundimit të klasës së pestë, nxënësit kalojnë në arsimin e mesëm të ulët, pa ndonjë seleksionim të veçantë.

ISCED 2 – Arsimi i mesëm i ulët. Arsimi i mesëm i ulët përfshin klasat 6–9 dhe zgjat katër vjet. Mosha tipike është rreth 11–14 vjeç. Së bashku me arsimin fillor, ky nivel përbën pjesën kryesore të arsimit bazë. Mësimi organizohet më qartë sipas lëndëve dhe fushave kurrikulare. Në fund të klasës së nëntë, nxënësit i nënshtrohen vlerësimit shtetëror/testit të arritshmërisë dhe mund të kalojnë në arsimin e mesëm të lartë.

ISCED 3 – Arsimi i mesëm i lartë. Arsimi i mesëm i lartë përfshin klasat 10–12 dhe zgjat tre vjet. Mosha tipike është rreth 15–17 vjeç. Në këtë nivel sistemi ndahet në dy rrugë kryesore: arsimin e mesëm të përgjithshëm, përkatësisht gjimnazin, dhe arsimin profesional. Pas përfundimit të klasës së 12-të, nxënësit marrin dokumentin për përfundimin e arsimit të mesëm të lartë. Provimi i maturës shtetërore përbën pikë të rëndësishme tranzicioni për qasje në arsimin e lartë, ndërsa arsimi profesional mundëson edhe kalimin në tregun e punës ose vazhdimin në kualifikime postsekondare.

ISCED 4 – Arsimi postsekondar jouniversitar. Ky nivel pason arsimin e mesëm të lartë dhe paraprin arsimin e lartë. Ai lidhet kryesisht me kualifikime profesionale më të avancuara, zakonisht për moshën 18+, dhe mund të zgjasë një deri në dy vjet, varësisht nga programi dhe forma e organizimit. Programet e këtij niveli shërbejnë si hallkë ndërmjet arsimit të mesëm profesional, kualifikimeve të avancuara profesionale dhe tregut të punës.

ISCED 5 – Arsimi terciar i ciklit të shkurtër. Ky nivel përfshin programe të shkurtra të arsimit terciar, zakonisht me orientim profesional ose aplikativ, të vendosura ndërmjet arsimit postsekondar dhe ciklit të parë të arsimit të lartë. Në strukturën e sistemit, ky nivel paraqitet si mundësi e progresit pas arsimit të mesëm të lartë ose postsekondar.

ISCED 6 – Arsimi i lartë, niveli Baçelor. Niveli Baçelor përbën ciklin e parë të arsimit të lartë dhe zakonisht zgjat tre ose katër vjet, me 180 ose 240 ECTS. Qasja në këtë nivel lidhet me përfundimin e arsimit të mesëm të lartë dhe kalimin e provimit të maturës shtetërore, si dhe me kriteret e pranimit të institucioneve përkatëse. Pas përfundimit, studentët mund të kalojnë në tregun e punës ose të vazhdojnë në studime Master.

ISCED 7 – Arsimi i lartë, niveli Master. Niveli Master përbën ciklin e dytë të arsimit të lartë dhe zakonisht zgjat një ose dy vjet, me 60 ose 120 ECTS, pas përfundimit të nivelit Baçelor. Ky nivel synon thellimin akademik ose profesional në një fushë të caktuar dhe mund të shërbejë si bazë për zhvillim të mëtejshëm profesional, për qasje në pozita më të avancuara në tregun e punës ose për vazhdim në studime të doktoratës.

ISCED 8 – Doktorata. Niveli i doktoratës përbën ciklin e tretë të arsimit të lartë dhe ka karakter akademik e kërkimor-shkencor. Programet e doktoratës zakonisht zgjasin tri vjet dhe orientohen drejt hulumtimit të pavarur, prodhimit të njohurive të reja dhe përgatitjes për karrierë akademike, kërkimore ose profesionale të nivelit të lartë. Qasja në këtë nivel zakonisht kërkon përfundimin e studimeve Master dhe plotësimin e kritereve të përcaktuara nga institucioni përkatës.

Nivelet ISCED 0–4 përfshihen në arsimin parauniversitar, ndërsa nivelet ISCED 5–8 i përkasin arsimit të lartë (terciar). Arsimi i detyrueshëm përfshin klasën parafillore në kuadër të nivelit ISCED 0, arsimin fillor (ISCED 1) dhe arsimin e mesëm të ulët (ISCED 2).

Korniza Kurrikulare e Arsimit Parauniversitar është dokumenti bazë për organizimin dhe zbatimin e kurrikulës në nivelet ISCED 0–3. Ajo operacionalizohet përmes kurrikulave bërthamë për nivelet përkatëse të arsimit dhe përmes kurrikulave lëndore, të cilat përcaktojnë më hollësisht rezultatet e të nxënit dhe përmbajtjen mësimore.

Nivelet sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve

Korniza Kombëtare e Kualifikimeve i klasifikon kualifikimet në tetë nivele, të përcaktuara sipas rezultateve të të nxënit të bazuara në njohuri, shkathtësi dhe kompetenca:

Niveli 1 përfshin kualifikimet e fituara pas përfundimit të kurseve kompensuese të arsimit bazik ose kurseve të shkurtra të aftësimit. Këto kualifikime janë të krahasueshme me përfundimin e arsimit fillor.

Niveli 2 përfshin kualifikimet e fituara pas përfundimit të kurseve të shkurtra të aftësimit që mbulojnë shkathtësi bazike profesionale ose aftësi themelore, si shkrim-leximi, numërimi dhe TIK-u. Këto kualifikime janë të krahasueshme me përfundimin e arsimit të mesëm të ulët.

Niveli 3 përfshin kualifikime që fitohen pas përfundimit të dy viteve të arsimit formal të mesëm të lartë profesional, si dhe certifikata të fituara pas përfundimit të kurseve të shkurtra të aftësimit të ofruara nga ofruesit e arsimit dhe aftësimit profesional.

Niveli 4 përfshin kualifikimin e maturës pas përfundimit të arsimit të përgjithshëm dhe të mesëm të lartë profesional, certifikatat e arsimit të mesëm të lartë profesional formal, si dhe certifikata të fituara përmes kurseve të shkurtra të aftësimit.

Niveli 5 përfshin kualifikime akademike dhe profesionale, formale dhe joformale, që vendosen ndërmjet arsimit të mesëm të lartë dhe arsimit të lartë.

Niveli 6 përfshin programe akademike dhe profesionale të arsimit të lartë, përfundimi i të cilave çon zakonisht në kualifikim me titullin Baçelor.

Niveli 7 përfshin programe akademike dhe profesionale të arsimit të lartë, përfundimi i të cilave çon zakonisht në kualifikim me titullin Master.

Niveli 8 përfshin programe akademike dhe profesionale të arsimit të lartë, përfundimi i të cilave çon në kualifikim me titullin Doktoratë.

4. Struktura e sistemit

Figura 3.1. Struktura e sistemit të arsimit dhe aftësimit në Kosovë
Figura 3.1. Struktura e sistemit të arsimit dhe aftësimit në Kosovë
Publikimi

Rreth publikimit

Ky publikim paraqet një pasqyrë të zhvillimit, organizimit dhe funksionimit të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës.

Përmes kapitujve të publikimit mund të shfletoni zhvillimin historik të arsimit dhe aspektet kryesore të sistemit arsimor në Kosovë.

Filloni shfletimin Zgjidhni një kapitull nga Përmbajtja.

1. Organizimi dhe qeverisja

Në vijim paraqitet, në mënyrë të përmbledhur, një pasqyrë e sistemit arsimor të Kosovës dhe e kontekstit në të cilin ai organizohet dhe funksionon, ndërsa aspektet përkatëse trajtohen më hollësisht në seksionet vijuese.

Baza kushtetuese dhe kuadri ligjor. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e njeh arsimin si të drejtë themelore, garanton shkollimin themelor pa pagesë, mundësi të barabarta për arsim sipas aftësive dhe nevojave, si dhe mbrojtje të veçantë të të drejtave arsimore të komuniteteve. Mbi këtë bazë është ndërtuar një kuadër ligjor i gjerë, në qendër të të cilit qëndrojnë Ligji për Arsimin Parauniversitar dhe Ligji për Arsimin e Lartë, të plotësuara nga ligje të posaçme për decentralizimin e arsimit, edukimin në fëmijërinë e hershme, arsimin dhe aftësimin profesional, arsimin e të rriturve, inspektimin, tekstet shkollore, maturën shtetërore, kualifikimet kombëtare, akreditimin dhe profesionet e rregulluara. Sistemi ndikohet drejtpërdrejt edhe nga ligje të përgjithshme për vetëqeverisjen lokale, financat e pushtetit lokal, zyrtarët publikë dhe pagat në sektorin publik. Krahas ligjeve, funksionimin e sistemit e operacionalizojnë edhe aktet nënligjore, të cilat rregullojnë në mënyrë më të hollësishme standardet, procedurat dhe kriteret e zbatimit.

Dokumentet strategjike. Korniza strategjike e arsimit në Kosovë përbëhet nga dokumente zhvillimore dhe sektoriale që e vendosin arsimin në funksion të zhvillimit njerëzor, social dhe ekonomik. Në nivelin më të gjerë, Strategjia dhe Plani Kombëtar për Zhvillim 2030 e trajton arsimin si pjesë të shtyllës së zhvillimit të barabartë njerëzor dhe e ndërlidh atë me punësimin, shëndetin, transformimin digjital dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Dokumenti kryesor sektorial është Strategjia e Arsimit 2022–2026, e cila përcakton pesë fusha prioritare: edukimin në fëmijërinë e hershme, arsimin parauniversitar, arsimin dhe aftësimin profesional dhe arsimin e të rriturve, arsimin e lartë dhe digjitalizimin e arsimit. Përveç këtyre, rëndësi të veçantë kanë edhe Strategjia e Punësimit 2024–2028, Strategjia për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali, dokumenti strategjik për ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme dhe Agjenda Digjitale e Kosovës 2030, të cilat e lidhin arsimin me punësueshmërinë, përfshirjen sociale, mbështetjen e grupeve të cenueshme dhe zhvillimin e kompetencave digjitale.

Organizimi i sistemit të arsimit. Sistemi i arsimit dhe aftësimit në Kosovë është i organizuar sipas niveleve të ISCED-it, duke filluar nga edukimi në fëmijërinë e hershme dhe duke vazhduar deri në arsimin e lartë. Arsimi parauniversitar mbulon nivelet ISCED 0–4 dhe përfshin edukimin parashkollor, arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët, arsimin e mesëm të lartë të përgjithshëm dhe profesional, si dhe arsimin postsekondar jouniversitar. Arsimi i mesëm i lartë përbën pikën kryesore të degëzimit të sistemit, sepse prej tij nxënësit mund të vazhdojnë në arsimin e lartë, në programe postsekondare profesionale ose të kalojnë në tregun e punës. Arsimi i lartë organizohet në tri cikle kryesore — Baçelor, Master dhe Doktoratë — në përputhje me logjikën e Procesit të Bolonjës dhe me sistemin ECTS, ndërsa arsimi i të rriturve përfshin forma formale, joformale dhe informale të të nxënit. Krahas sektorit publik, legjislacioni lejon edhe funksionimin e institucioneve private në të gjitha nivelet, me kërkesa të ndryshme licencimi, akreditimi dhe monitorimi, varësisht nga niveli dhe lloji i programit.

Korniza Kombëtare e Kualifikimeve (KKK) është një nga instrumentet kryesore të reformimit të sistemit arsimor dhe të lidhjes së tij me tregun e punës dhe me politikat evropiane. Ajo synon të rrisë transparencën, krahasueshmërinë dhe relevancën e kualifikimeve, të mbështesë mësimin gjatë gjithë jetës dhe të mundësojë njohjen e të nxënit të fituar në forma formale, joformale dhe informale. KKK përbëhet nga tetë nivele dhe mbështetet në rezultatet e të nxënit, të përkufizuara në njohuri, shkathtësi dhe kompetenca. Ajo përfshin kualifikime të arsimit të përgjithshëm, të arsimit dhe aftësimit profesional dhe të arsimit të lartë, si dhe kualifikime të bazuara në standarde ndërkombëtare ose të përshtatura. Zbatimi i saj realizohet përmes AKK-së, MASH-it dhe AKA-së, sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë. Një funksion i rëndësishëm i KKK-së është përputhja me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF), gjë që e bën sistemin kosovar më të kuptueshëm dhe më të krahasueshëm në kontekstin evropian.

Ndarja e përgjegjësive për administrimin e arsimit. Administrimi i arsimit në Kosovë bazohet në një ndarje të kompetencave ndërmjet nivelit qendror, atij komunal dhe vetë institucioneve. Në nivel qendror, ministria përgjegjëse për arsimin ka rolin udhëheqës në planifikimin e sistemit, hartimin e politikave dhe legjislacionit, përcaktimin e standardeve, licencimin, vlerësimin e jashtëm dhe sigurimin e cilësisë. Në kuadër të saj dhe pranë saj veprojnë agjenci të veçanta, si AAAPARR për arsimin dhe aftësimin profesional dhe arsimin e të rriturve, AKK për kualifikimet kombëtare dhe AKA për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. Ministri të tjera, veçanërisht Ministria e Financave dhe Ministria e Punës, kanë role mbështetëse. Në nivel lokal, komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive për arsimin publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, përfshirë menaxhimin e institucioneve, personelit dhe infrastrukturës, ndërsa në nivel institucional funksionojnë organet e shkollës dhe strukturat qeverisëse e menaxhuese të institucioneve të arsimit të lartë.

Rrjeti i institucioneve arsimore në Kosovë është i larmishëm, por nuk përbëhet domosdoshmërisht nga institucione unike, pasi disa prej tyre ofrojnë arsimim në më shumë se një nivel të ISCED-it. Sipas të dhënave të përmbledhura në seksionin 3.8, në arsimin parauniversitar funksionojnë gjithsej 1,045 institucione publike dhe 283 private. Ndërkaq, në vitin akademik 2025/26 janë të akredituara gjithsej 9 institucione publike dhe 15 private të arsimit të lartë.

1.1. Parimet themelore dhe politikat kombëtare të arsimit

Ky seksion paraqet bazat normative dhe orientimet e politikave mbi të cilat mbështetet organizimi dhe zhvillimi i arsimit në Kosovë, duke përmbledhur garancitë kushtetuese për të drejtën në arsim, kuadrin ligjor që rregullon sistemin, si dhe dokumentet strategjike sektoriale dhe ndërsektoriale që përcaktojnë drejtimet kryesore të zhvillimit të tij.

1. Parimet dhe garancitë kushtetuese

Kushtetuta e Republikës së Kosovës [4] e njeh arsimin si një të drejtë themelore dhe përcakton se secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Ajo saktëson se shkollimi i detyrueshëm rregullohet me ligj dhe financohet nga fondet publike, ndërsa institucionet publike kanë për obligim t’i sigurojnë secilit person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij ose të saj (Neni 47).

Kushtetuta i kushton rëndësi të veçantë edhe të drejtave arsimore të komuniteteve. Ajo u njeh pjesëtarëve të komuniteteve të drejtën për të marrë arsimim publik në të gjitha nivelet në njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, sipas zgjedhjes së tyre. Po ashtu, ajo garanton të drejtën për arsimim publik parafillor, fillor dhe të mesëm në gjuhën e komunitetit, deri në masën e përcaktuar me ligj, duke paraparë që pragu për themelimin e klasave ose të shkollave të veçanta për këtë qëllim të jetë më i ulët sesa ai që zbatohet zakonisht për institucionet arsimore. Për më tepër, pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë të themelojnë dhe të menaxhojnë institucione private të arsimit dhe trajnimit, për të cilat mund të jepet edhe ndihmë financiare publike, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare (Neni 59).

Kushtetuta e trajton legjislacionin në fushën e arsimit si legjislacion me interes vital dhe synon të sigurojë mbrojtje shtesë për të drejtat e komuniteteve në këtë fushë. Neni 81 i Kushtetutës përcakton se miratimi, ndryshimi ose shfuqizimi i ligjeve për arsimin kërkon jo vetëm shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe votojnë, por edhe shumicën e votave të deputetëve që janë të pranishëm dhe votojnë e që mbajnë vende të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë.

2. Legjislacioni

Kuadri ligjor i arsimit në Kosovë përbëhet nga një grup ligjesh që rregullojnë nivele, funksione dhe fusha të veçanta të sistemit arsimor. Në qendër të këtij kuadri qëndrojnë ligjet themelore për arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë, të cilat plotësohen nga ligje të veçanta për decentralizimin e arsimit, arsimin dhe aftësimin profesional, edukimin në fëmijërinë e hershme, inspektimin, tekstet shkollore, provimin e maturës shtetërore dhe kualifikimet kombëtare:

Ligji Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës është ligji bazë i sektorit parauniversitar. Ai përcakton përgjegjësitë kryesore të nivelit qendror në administrimin e sistemit, përfshirë zhvillimin e politikave, hartimin dhe zbatimin e legjislacionit, promovimin e një sistemi arsimor jodiskriminues dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme, menaxhimin e sistemit të licencimit dhe certifikimit të mësimdhënësve, përcaktimin e kritereve për vlerësimin e nxënësve dhe organizimin e vlerësimit të jashtëm. Po ashtu, ky ligj ruan në nivel qendror përgjegjësinë për zhvillimin e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës, përcaktimin e standardeve për zbatimin e saj, standardet për personelin mësimor dhe hapësirat shkollore, si dhe për inspektimin e sistemit. [5]

Ligji Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës krijon bazën ligjore për rregullimin, funksionimin, financimin dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, në përputhje me standardet evropiane. Ligji e pozicionon arsimin e lartë të Kosovës brenda logjikës së Procesit të Bolonjës dhe të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, duke e organizuar atë në tri cikle studimi dhe duke e ndërlidhur me sistemin ECTS dhe me lëvizshmërinë akademike. Ai përcakton kompetencat e ministrisë, rolin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, kushtet për themelimin e institucioneve publike, licencimin e institucioneve private, autonominë institucionale, emërimet akademike, mbështetjen financiare për studentët dhe parimet e financimit të institucioneve publike. [6]

Ligji Nr. 03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës është pjesë e paketës së decentralizimit dhe rregullon bartjen e një pjese të rëndësishme të përgjegjësive për administrimin e arsimit nga niveli qendror në nivelin lokal. Ai përcakton kompetencat e komunave në themelimin dhe menaxhimin e institucioneve publike të arsimit parauniversitar, punësimin e personelit, administrimin e financave dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës shkollore. Po ashtu, ky ligj rregullon edhe disa të drejta të veçanta të komunitetit serb në fushën e arsimit, përfshirë përdorimin e planprogrameve dhe teksteve nga Republika e Serbisë pas njoftimit të ministrisë, si dhe përcakton statusin juridik të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, i cili menaxhohet drejtpërdrejt nga Komuna e Mitrovicës së Veriut. [7]

Ligji Nr. 04/L-183 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional rregullon sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë. Ai mbështetet në parime të tilla si gjithëpërfshirja, qasja, transferi dhe progresi, kombinimi i të nxënit teorik me praktikën profesionale, orientimi ndaj nevojave aktuale dhe të ardhshme të ekonomisë, si dhe mbështetja e zhvillimit të karrierës si pjesë e të mësuarit gjatë gjithë jetës. Ky ligj përbën bazën ligjore për organizimin e shkollave profesionale, të profileve dhe të bashkëpunimit me tregun e punës. [8]

Ligji Nr. 08/L-153 për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme rregullon edukimin, kujdesin dhe zhvillimin e fëmijëve nga lindja deri në moshën gjashtë vjeçare dhe përcakton normat për organizimin, funksionimin, mbikëqyrjen dhe përgjegjësitë institucionale e profesionale në këtë fushë. Ligji zbatohet për të gjitha format e organizimit të edukimit në fëmijërinë e hershme dhe thekson qasjen gjithëpërfshirëse, bashkëpunimin ndërsektorial, standardet e cilësisë dhe të drejtat e fëmijës. Ai përkufizon qartë edukimin parashkollor dhe parafillor, format publike dhe jopublike të ofrimit, kompetencat e ministrisë, komunës dhe institucioneve, si dhe rregullon financimin, monitorimin dhe inspektimin. Një dispozitë e rëndësishme kalimtare përcakton se edukimi parafillor bëhet i obligueshëm nga viti shkollor 2024/2025. [9]

Ligji Nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit përcakton organizimin, kompetencat dhe funksionet e inspektimit në fushën e arsimit. Ai parasheh dy lloje kryesore të inspektimit: inspektimin administrativ-juridik dhe inspektimin pedagogjik. Përmes këtij ligji, inspektimi i arsimit mbetet kompetencë e nivelit qendror dhe përfshin edhe elemente që lidhen me monitorimin e zbatimit të legjislacionit, standardeve profesionale dhe aspekteve të caktuara të licencimit të mësimdhënësve. [10]

Ligji Nr. 02/L-67 për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës skollore dhe dokumentacionit pedagogjik rregullon botimin, miratimin dhe përdorimin e teksteve shkollore dhe materialeve të tjera mësimore. Megjithëse ky ligj lejon funksionimin e një tregu të hapur për tekstet shkollore, përgjegjësia për miratimin e tyre mbetet në nivelin qendror, përkatësisht te ministria përgjegjëse për arsim. [11]

Ligji Nr. 10/L-029 për Provimin e Maturës Shtetërore rregullon organizimin, administrimin dhe funksionin e provimit të maturës shtetërore. Ai e vendos këtë provim si mekanizëm për përfundimin e arsimit të mesëm të lartë dhe si kusht relevant për vazhdimin e studimeve universitare për nxënësit e arsimit të përgjithshëm dhe të arsimit profesional që synojnë të regjistrohen në arsimin e lartë. [12]

Ligji Nr. 03/L-060 për Kualifikimet Kombëtare krijon bazën ligjore për sistemin kombëtar të kualifikimeve në Kosovë. Qëllimi i tij është themelimi i një sistemi të integruar të kualifikimeve, i mbështetur në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe i rregulluar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve. Ky ligj e lidh arsimin formal, jofomal dhe mësimin informal me një sistem të përbashkët të niveleve dhe standardeve, me synim rritjen e transparencës, krahasueshmërisë dhe relevancës së kualifikimeve për arsimin dhe tregun e punës. [13]

Ligji Nr. 04/L-143 për arsimin dhe aftësimin për të rritur në Republikën e Kosovës rregullon planifikimin, organizimin, qeverisjen, vlerësimin, certifikimin dhe financimin e arsimit dhe aftësimit për të rritur. [14]

Ligji Nr. 08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim rregullon statusin, organizimin, kompetencat dhe procedurat e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) si agjenci rregullatore për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. Ligji përcakton rolin e AKA-së në akreditim, riakreditim, validim, monitorim dhe procese të tjera të sigurimit të cilësisë për institucionet e arsimit të lartë dhe programet e tyre të studimit, në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. [15]

Ligji Nr. 05/L-066 për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës rregullon kushtet dhe kriteret për ushtrimin e profesioneve të rregulluara, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe në përputhje me kornizën evropiane për njohjen e kualifikimeve profesionale. Ai përcakton konceptin e profesionit të rregulluar, listën e profesioneve që hyjnë në këtë kategori dhe kërkesat themelore për ushtrimin e tyre, përfshirë përfundimin e studimeve ose të kualifikimit përkatës, praktikën profesionale, provimin shtetëror dhe regjistrimin në organin profesional përkatës. Për sektorin e arsimit, rëndësi të veçantë ka fakti se në listën e profesioneve të rregulluara përfshihen edhe mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar, edukatorët, psikologët dhe pedagogët. [16]

Përveç ligjeve të posaçme të arsimit, në funksionimin e sistemit arsimor ndikojnë drejtpërdrejt edhe disa ligje të përgjithshme që rregullojnë vetëqeverisjen lokale, financimin komunal, statusin e punonjësve publikë dhe sistemin e pagave në institucionet publike:

Ligji Nr. 03/L-040 për vetëqeverisjen lokale përcakton komunën si njësi themelore të vetëqeverisjes lokale dhe i njeh asaj kompetenca të plota vetanake për ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm. Në këtë kuadër, komunat janë përgjegjëse për administrimin e institucioneve përkatëse, përfshirë edhe aspekte si punësimi, pagesa e pagave dhe trajnimi i mësimdhënësve dhe administratorëve të arsimit. [17]

Ligji Nr. 03/L-049 për financat e pushtetit lokal rregullon burimet financiare të komunave dhe parashikon që arsimi parauniversitar të financohet, ndër të tjera, përmes Grantit Specifik për Arsim si pjesë e granteve operative komunale. [18]

Ligji Nr. 08/L-197 për zyrtarët publikë trajton punonjësit që ofrojnë shërbime publike të drejtpërdrejta në arsim si nëpunës të shërbimit publik, ndërsa rregullon për ta parimet e rekrutimit, të drejtat dhe detyrimet, disiplinën, transferimin dhe çështje të tjera të marrëdhënies së punës. [19]

Ligji Nr. 08/L-196 për pagat në sektorin publik zbatohet edhe për fushën e arsimit publik dhe, përveç përcaktimit të klasave të pagës dhe koeficientëve, parasheh edhe shtesën për licencë të avancuar për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar. [20]

Ligji Nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës Ligji Nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës përcakton kuadrin ligjor për garantimin e të drejtave, mirëqenies dhe interesit më të mirë të fëmijës, si dhe përgjegjësitë e institucioneve, familjes dhe subjekteve të tjera për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna, abuzimi, neglizhenca, shfrytëzimi, diskriminimi dhe format e tjera të cenimit të të drejtave të fëmijës. [[21] Krahas ligjeve, pjesë e legjislacionit janë edhe aktet nënligjore (udhëzimet administrative dhe rregulloret), të cilat nxirren për të rregulluar më hollësisht çështjet që ligji ia delegon organit kompetent për zbatim dhe mbikëqyrje. Në varësi të autorizimit ligjor dhe të fushës që rregullohet, këto akte mund të nxirren nga ministria kompetente ose nga Qeveria. Ato shërbejnë për të operacionalizuar dispozitat ligjore dhe për të përcaktuar procedura, standarde, kritere dhe mënyra konkrete të zbatimit.

3. Dokumentet Strategjike

Ky seksion paraqet dokumentet strategjike që përcaktojnë orientimet kryesore të zhvillimit të arsimit në Kosovë. Ai përfshin, nga njëra anë, dokumentet themelore të planifikimit zhvillimor dhe të politikave arsimore, dhe, nga ana tjetër, dokumente ndërsektoriale që ndikojnë drejtpërdrejt në qasjen, përfshirjen, cilësinë, relevancën dhe digjitalizimin e arsimit. Së bashku, këto dokumente e vendosin arsimin në kuadër të zhvillimit më të gjerë njerëzor, social dhe ekonomik të vendit.

Dokumenti bazë zhvillimor i Republikës së Kosovës është Strategjia dhe Plani Kombëtar për Zhvillim 2030 (SKZH 2030), i miratuar në vitin 2023. Ky dokument e vendos zhvillimin e vendit në kuadër të katër shtyllave kryesore: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit, si dhe qeverisja e mirë. Për sektorin e arsimit, rëndësi të veçantë ka Shtylla II – “Zhvillimi i barabartë njerëzor”, e cila përfshin jo vetëm arsimin, por edhe punësimin, shëndetin, kulturën dhe shoqërinë aktive. Brenda kësaj shtylle, arsimi përfshihet në qëllimin zhvillimor “Arsim i qasshëm dhe cilësor”. SKZH 2030 e ndërlidh këtë qëllim me katër drejtime kryesore: 1) rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukim dhe kujdes cilësor në fëmijërinë e hershme; 2) përmirësimin e qasjes gjithëpërfshirëse dhe digjitalizimit në arsim; 3) harmonizimin më të mirë të arsimit me nevojat e tregut të punës; si dhe 4) rritjen e cilësisë, integritetit dhe konkurrueshmërisë në arsimin e lartë. Kjo kornizë e lidh arsimin drejtpërdrejt me politikat e punësimit, me transformimin digjital dhe me zhvillimin e kapitalit njerëzor, ndërsa në nivel horizontal e ndërlidh edhe me agjendën digjitale, mundësitë e barabarta, agjendën e gjelbër dhe migrimin e diasporën. [22]

Dokumenti kyç sektorial në fushën e arsimit është Strategjia e Arsimit 2022–2026, e cila përbën dokumentin kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Strategjia është hartuar në përputhje me SKZH 2030, konkretisht me qëllimin zhvillimor “Arsim i qasshëm dhe cilësor”, dhe bazohet në Programin e Qeverisë 2021–2025 dhe në analizën e gjendjes së sektorit. Ajo është e organizuar në pesë fusha prioritare: 1) edukimi në fëmijërinë e hershme, 2) arsimi parauniversitar, 3) arsimi dhe aftësimi profesional dhe arsimi i të rriturve, 4) arsimi i lartë, si dhe 5) digjitalizimi i arsimit. Këto fusha janë përkthyer në pesë objektiva strategjikë që synojnë rritjen e përfshirjes në edukimin e hershëm, ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar, harmonizimin më të mirë të AAP-së me tregun e punës dhe me mësimin gjatë gjithë jetës, përmirësimin e cilësisë dhe integritetit në arsimin e lartë, si dhe përdorimin e teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim. Buxheti i përgjithshëm i Strategjisë së Arsimit 2022–2026 është 322.8 milion €. [23]

Një grup i dytë përbëhet nga dokumente strategjike ndërsektoriale, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e arsimit. Këto dokumente nuk e trajtojnë arsimin si fushë të veçuar, por e ndërlidhin atë me punësimin, përfshirjen sociale, barazinë, shëndetin dhe transformimin digjital.

Strategjia e Punësimit 2024–2028 është strategji ndërsektoriale që e trajton arsimin dhe trajnimin si një nga fushat kyçe për përmirësimin e punësimit. Ajo e ndërlidh zhvillimin e aftësive dhe kompetencave të fuqisë punëtore me zgjerimin e mundësive të të mësuarit për të rriturit, përmirësimin e të mësuarit të bazuar në punë dhe harmonizimin më të mirë të arsimit e aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës. Në këtë mënyrë, strategjia e punësimit e sheh arsimin si instrument qendror për uljen e mospërputhjes së aftësive, për rritjen e punësueshmërisë dhe për përfshirjen e grupeve në rrezik përjashtimi, sidomos të të rinjve, grave dhe disa komuniteteve etnike. [24]

Strategjia për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Republikën e Kosovës 2022–2026 e trajton arsimin si njërën nga pesë fushat kryesore të veprimit, krahas punësimit dhe mirëqenies sociale, shëndetësisë, banimit dhe diskriminimit. Dokumenti thekson se përfshirja arsimore e fëmijëve nga këto komunitete mbetet më e ulët se mesatarja e Kosovës dhe se sfidat në arsim janë të lidhura ngushtë me varfërinë, përjashtimin social, pjesëmarrjen e ulët në edukimin parashkollor dhe diskriminimin. Për këtë arsye, strategjia e trajton arsimin jo vetëm si të drejtë më vete, por edhe si parakusht për përmirësimin e pozitës sociale dhe ekonomike të këtyre komuniteteve. [25]

Dokumenti Strategjik dhe Plani i Veprimit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme (NFH) 2025–2030 është dokument i udhëhequr nga sektori i shëndetësisë, por me lidhje të drejtpërdrejtë me arsimin. Ai mbështetet në një qasje multidisiplinare që bashkon shëndetësinë, arsimin dhe mirëqenien sociale, me qëllim identifikimin e hershëm të vështirësive në zhvillim dhe ofrimin e mbështetjes së koordinuar për fëmijët e vegjël dhe familjet e tyre. Në këtë kuadër, MASH-i ka rol në organizimin e rrjetit të institucioneve të edukimit në fëmijërinë e hershme që shërbejnë si pika referente, në angazhimin e edukatorëve dhe në sigurimin e tranzicionit të fëmijëve në institucionet parashkollore dhe shkollore, përfshirë klasën parafillore të obligueshme. [26]

Agjenda Digjitale e Kosovës 2030 është dokument strategjik horizontal që përcakton prioritetet e Kosovës për transformimin digjital të ekonomisë dhe shoqërisë. Ndërlidhja e saj me arsimin është e drejtpërdrejtë, sepse një nga objektivat strategjikë të saj lidhet me aftësitë digjitale të popullsisë, duke përfshirë digjitalizimin e sistemit arsimor, avancimin e aftësive digjitale të qytetarëve, zhvillimin e kompetencave për teknologjitë inovative në arsimin e lartë dhe krijimin e një fuqie punëtore më të kualifikuar në fushën e TIK-ut. Vetë dokumenti thekson se është në përputhje me Strategjinë e Arsimit të Kosovës dhe e trajton arsimin si një nga fushat kyçe për zhvillimin e kapitalit njerëzor në epokën digjitale. [27]

1.2. Strategjitë dhe prioritetet e mësimit gjatë gjithë jetës

Koncepti i mësimit gjatë gjithë jetës zë vend të rëndësishëm në kornizën normative dhe strategjike të arsimit në Kosovë, edhe pse jo gjithmonë me të njëjtin nivel zhvillimi në të gjitha nënsektorët. Në nivelin e sistemit, ky koncept shfaqet si orientim për një arsim që nuk përfundon me mbarimin e shkollimit fillestar, por vazhdon në forma të ndryshme formale, joformale dhe informale gjatë gjithë jetës. Kjo logjikë është e dukshme në Ligjin për Arsimin Parauniversitar [5], i cili e shtrin fushëveprimin edhe te fëmijët dhe të rriturit që marrin kualifikime në nivelet përkatëse, si dhe në parimet e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës, ku ndër parimet themelore përfshihet shprehimisht edhe të mësuarit gjatë gjithë jetës [28].

arsimin e lartë, koncepti është edhe më i qartë. Ligji për Arsimin e Lartë e përkufizon të mësuarit gjatë gjithë jetës si arsimim të përgjithshëm, arsimim dhe aftësim profesional, arsimim joformal dhe nxënie informale të ndërmarra gjatë gjithë jetës, me synim ngritjen e njohurive, shkathtësive dhe kompetencave në perspektivë personale, shoqërore, sociale dhe të punësimit. I njëjti ligj u njeh institucioneve të arsimit të lartë lirinë për të ofruar kurse të çdo niveli arsimor për përvetësimin e aftësive të nevojshme dhe për të dhënë kontribut në të mësuarit gjatë gjithë jetës. [6]

arsimin dhe aftësimin profesional, ky orientim është i drejtpërdrejtë: Ligji për Arsimin dhe Aftësimin Profesional e përkufizon mësimin gjatë gjithë jetës si të gjitha aktivitetet e mësimit që realizohen gjatë tërë jetës për zhvillimin e njohurive, kompetencave dhe kualifikimeve [8]. Për më tepër, vetë struktura e AAP-së, lidhja e saj me këshillimin për karrierë, me kualifikimet modulare dhe me nivelet e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, e bën këtë nënsektor fushën ku ideja e mësimit gjatë gjithë jetës është më afër logjikës së rikualifikimit, ngritjes së kualifikimit dhe lëvizshmërisë ndërmjet formave të të nxënit.

Në këtë kuadër, Korniza Kombëtare e Kualifikimeve (KKK) ka rol kyç, sepse e operacionalizon mësimin gjatë gjithë jetës në nivel sistemi. KKK përfshin të gjitha llojet e kualifikimeve dhe synon që në një kornizë të vetme të përfshijë rezultatet e të nxënit të fituara në forma formale, joformale dhe informale. Nëpërmjet kredive, strukturës modulare, njohjes së mësimit paraprak dhe rregullave për qasje, përparim dhe transferim, ajo krijon mundësi që kandidati të mos mbetet i lidhur vetëm me një rrugë lineare shkollimi, por të mund të lëvizë ndërmjet niveleve dhe formave të ndryshme të arsimit dhe aftësimit. [29]

Në nivel të politikave arsimore, mësimi gjatë gjithë jetës lidhet me vizionin më të gjerë të zhvillimit njerëzor dhe ekonomik të vendit. Strategjia dhe Plani Kombëtar për Zhvillim 2030 e përfshin arsimin në Shtyllën II, “Zhvillimi i barabartë njerëzor”, dhe në fushëveprimin e sektorit të arsimit përmend shprehimisht arsimin profesional, orientimin profesional, mësimin gjatë gjithë jetës, arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe shkathtësitë digjitale në arsim. Po ashtu, dokumenti e ndërlidh arsimin me sektorin e punësimit dhe tregut të punës, ku parashihen bashkëpunimi me institucionet arsimore, zhvillimi i profileve të kompetencave dhe përmirësimi i shkathtësive. [22]

Strategjia e Arsimit 2022–2026 e vendos këtë koncept në qendër të vizionit të saj. Vizioni i strategjisë flet për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës që zhvillon potencialin dhe kompetencat e individëve dhe inkurajon mësimin gjatë gjithë jetës, duke mbuluar të gjitha format e të nxënit: formal, joformal dhe informal. Brenda pesë fushave prioritare të saj, sidomos në fushën e tretë, mësimi gjatë gjithë jetës lidhet drejtpërdrejt me harmonizimin e arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet dinamike të teknologjisë dhe tregut të punës. Megjithatë, strategjia mban edhe një ton kritik ndaj gjendjes ekzistuese: ajo vlerëson se mësimi gjatë gjithë jetës, si qasje, kompetencë e veçantë dhe parim themelor për reformimin e sistemit arsimor, ende nuk ka gjetur zbatimin e duhur; se arsimi i të rriturve mbetet i përqendruar kryesisht në arsim formal kompensues; dhe se mundësitë për progres, lëvizshmëri, kualifikim, ngritje të kualifikimit dhe rikualifikim janë ende të kufizuara. [23]

Mësimi gjatë gjithë jetës gjen pasqyrim edhe në dokumente të tjera strategjike ndërsektoriale. Agjenda Digjitale e Kosovës 2030 e trajton transformimin digjital si proces afatgjatë që kërkon zhvillim të vazhdueshëm të aftësive të qytetarëve. Dokumenti thekson nevojën për zhvillimin e aftësive digjitale të qytetarëve, për nxitjen e të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe për përfshirjen digjitale, me fokus në zhvillimin e vazhdueshëm të kompetencave që kërkon shoqëria digjitale. [27]

Strategjia e Punësimit 2024–2028 e trajton mësimin gjatë gjithë jetës nga këndvështrimi i punësueshmërisë, rikualifikimit dhe aktivizimit të grupeve në rrezik përjashtimi nga tregu i punës. Ajo e lidh përmirësimin e punësimit me zhvillimin e kompetencave të përafruara me nevojat e tregut të punës, ndërsa një nga objektivat e saj është zhvillimi i aftësive dhe kompetencave të fuqisë punëtore dhe ulja e mospërputhjeve të aftësive. Strategjia përmend në mënyrë të qartë pjesëmarrjen e të rriturve në programet e trajnimit të të rriturve si tregues konkret, si dhe e përshkruan arsimin e të rriturve si “mundësi të dytë” për arsimim dhe si hapësirë për mësim shtesë. [24]

1.3. Organizimi i sistemit arsimor

Struktura e sistemit të arsimit dhe aftësimit në Kosovë është prezantuar në mënyrë skematike në Fugurën 1 dhe organizohet nga niveli parashkollor deri te arsimi i lartë sipas niveleve të Klasifikimit Standard Ndërkombëtar të Arsimit (ISCED).

Sistemi fillon me nivelin parashkollor (ISCED 0), vazhdon me shkollën fillore (ISCED 1) dhe arsimin e mesëm të ulët (ISCED 2), të cilat së bashku përbëjnë bërthamën e arsimit bazë. Pas kësaj vije të përbashkët, sistemi degëzohet në arsimin e mesëm të lartë (ISCED 3), i cili ofrohet në dy rrugë kryesore: arsimi i mesëm i përgjithshëm, përkatësisht gjimnazi, dhe arsimi profesional. Në fund të këtij niveli paraqitet edhe matura shtetërore si pikë e rëndësishme tranzicioni në sistem.

Figura 3.1. tregon gjithashtu se, përtej nivelit të arsimit të mesëm të lartë, ekzistojnë disa rrugë të mundshme të progresit. Njëra prej tyre është arsimi profesional post-sekondar (ISCED 4), që shërben si hallkë ndërmjet arsimit të mesëm të lartë profesional dhe formave më të avancuara të kualifikimit. Më tej paraqitet arsimi profesional terciar (ISCED 5), ndërsa universiteti mbulon nivelet e arsimit të lartë (ISCED 6–8). Nga Figura 3.1. mund të kuptohet se në cilat pika të ndryshme nxënësi ose studenti mund të vazhdojë arsimimin ose të kalojë në tregun e punës.

1. Arsimi Parauniversitar

Arsimi në nivelin parauniversitar, organizohet nga niveli 0 deri në nivelin 4 të ISCED. Ligji për Arsimin Parauniversitar [5] e përcakton shprehimisht se ky nivel i arsimit organizohet sipas një kornize të mësimit gjatë gjithë jetës, ndërsa Korniza Kurrikulare e plotëson këtë strukturë duke i lidhur nivelet formale me shkallët kryesore të kurrikulës, të cilat pasqyrojnë fazat zhvillimore të fëmijëve dhe të rinjve [28]. Në skemën e sistemit (Figura 1), kjo rrjedhë paraqitet si një progresion nga edukimi parashkollor në arsimin fillor e të mesëm, me degëzim të mëvonshëm drejt arsimit të mesëm të lartë të përgjithshëm ose profesional, dhe me mundësi vazhdimi drejt arsimit postsekondar profesional, arsimit terciar profesional ose universitetit.

Në aspektin normativ, organizimi i niveleve parauniversitare mbështetet në disa akte themelore. Ligji për Arsimin Parauniversitar vendos strukturën e përgjithshme të sistemit nga niveli 0 deri në nivelin 4 të ISCED-it dhe përcakton përgjegjësitë bazë të institucioneve [5]. Megjithatë, për disa nënsektorë legjislacioni i mëvonshëm ose i posaçëm sjell rregullim më të detajuar. Kështu, edukimi në fëmijërinë e hershme tashmë rregullohet në mënyrë të veçantë me Ligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme të vitit 2023 [9], ndërsa arsimi dhe aftësimi profesional rregullohet me ligj të posaçëm, i cili specifikon strukturën, organizimin, kualifikimet dhe lidhjen e AAP-së me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe me tregun e punës [8]. Për këtë arsye, përshkrimi i organizimit të niveleve duhet të lexohet si rezultat i ndërveprimit ndërmjet ligjit ombrellë të arsimit parauniversitar, ligjeve të posaçme dhe Kornizës Kurrikulare.

Niveli 0 i ISCED i korrespondon edukimit në fëmijërinë e hershme. Këtu duhet bërë dallimi ndërmjet rregullimit më të vjetër në Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe rregullimit më të plotë në Ligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. Ligji i vitit 2023 përcakton se edukimi në fëmijërinë e hershme u referohet fëmijëve nga lindja deri në momentin kur hyjnë në klasën e parë, ndërsa, në përputhje me ISCED 2011, niveli 0 përfshin fëmijët nga mosha 9 muajshe deri në fillimin e nivelit 1. Brenda këtij niveli dallohen dy nënndarje: edukimi parashkollor, për fëmijët nga 9 muaj deri në 5 vjeç, i organizuar në institucionet parashkollore, dhe edukimi parafillor, për fëmijët 5-vjeçarë deri në hyrjen në arsimin fillor, i organizuar si në institucionet parashkollore, ashtu edhe në shkollat fillore. Korniza Kurrikulare e vendos këtë nivel në bazën e strukturës formale të arsimit parauniversitar dhe e lidh me fazën përgatitore dhe hyrjen në shkollim.

Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme ka disa forma organizimi: institucione publike, private dhe në partneritet publiko-privat; forma alternative të organizimit brenda institucioneve qendrore, lokale apo korporatave; institucione me bazë në komunitet; si dhe forma të tjera alternative të organizuara në bashkëpunim me komunën. Ligji njeh gjithashtu edhe edukimin në familje, i cili mbështetet për fëmijët nga lindja deri në hyrjen në klasën e parë, përmes formave të përkrahjes që zhvillohen nga ministria dhe institucionet përkatëse.

Niveli 1 i ISCED i korrespondon arsimit fillor, i cili në Kosovë zgjat pesë vite dhe përfshin klasat I–V, zakonisht për moshën 6–10 vjeç. Sipas Kornizës Kurrikulare, ky nivel ndahet në dy shkallë kryesore: Shkalla 1 për klasat I–II dhe Shkalla 2 për klasat III–V. Periudha e parë ka karakter më themelor, me theks në hyrjen në shkollë, socializimin dhe ndërtimin e kompetencave bazë, ndërsa periudha e dytë synon përforcimin dhe zgjerimin e këtyre bazave. Në këtë nivel vendosen themelet e shkrim-leximit, të numërimit, të komunikimit, të të nxënit të pavarur dhe të kompetencave fillestare qytetare, personale e digjitale.

Niveli 2 i ISCED i korrespondon arsimit të mesëm të ulët, i cili përfshin klasat VI–IX, zakonisht për moshën 11–14 vjeç. Së bashku me arsimin fillor dhe edukimin parafillor, ky nivel përbën arsimin e detyrueshëm. Korniza Kurrikulare e ndan atë në Shkallën 3 për klasat VI–VII dhe Shkallën 4 për klasat VIII–IX. Në këtë fazë arsimi merr karakter më të strukturuar sipas fushave dhe lëndëve, ndërsa thellohet zhvillimi i kompetencave të përgjithshme dhe i aftësive për të menduar në mënyrë më abstrakte, kritike dhe të pavarur. Në fund të nivelit 2 përfundon shkollimi i detyrueshëm dhe krijohet pika kryesore e tranzicionit drejt arsimit të mesëm të lartë, ku nxënësi duhet të orientohet drejt rrugës së përgjithshme ose profesionale.

Shkollat fillore (niveli 1 i ISCED-it) dhe të mesme të ulëta (niveli 2 i ISCED-it) themelohen në çdo komunë. Shkollat e këtyre niveleve mund të kombinohen. Komuna mund të themelojë dhe mbajë paralele të ndara të nivelit 1 dhe 2 të ISCED-it në zonat në të cilat nuk ka shkolle amë, sipas kritereve të vendosura nga Ministria me aktin nënligjor. [5]

Niveli 3 i ISCED i korrespondon arsimit të mesëm të lartë, zgjatë 3 vjet dhe përfshin dy rrugë kryesore: arsimin e përgjithshëm (gjimnazin) dhe arsimin dhe aftësimin profesional (AAP). Korniza Kurrikulare e vendos këtë nivel në Shkallën 5 për klasat X–XI dhe Shkallën 6 për klasën XII. Në këtë nivel, sistemi synon jo vetëm thellimin e kompetencave të zhvilluara më herët, por edhe orientimin më të qartë drejt studimeve të mëtejshme, punësimit ose një profili të caktuar profesional. Matura shtetërore zë rol të rëndësishëm si mekanizëm i tranzicionit nga arsimi i mesëm i lartë drejt arsimit të lartë.

Ligji për Arsimin dhe Aftësimin Profesional e përkufizon AAP-në si formë të arsimit që synon t’i pajisë nxënësit dhe kandidatët me njohuri, aftësi praktike, shkathtësi dhe kompetenca të kërkuara në profesione të veçanta ose më gjerë në tregun e punës. Parimet e AAP-së përfshijnë gjithëpërfshirjen, qasjen, transferin dhe progresin, kombinimin e mësimit teorik me praktikën profesionale, orientimin ndaj nevojave aktuale dhe të ardhshme të ekonomisë dhe mbështetjen e zhvillimit të karrierës si pjesë e të mësuarit gjatë gjithë jetës [8]. Arsimi dhe aftësimi profesional në nivelin 3 të ISCED-it mund të bëhet në shkolla apo në institucione të aftësimit, qofshin ato publike apo private, ose në ndërmarrje publike apo private [5].

Komunat obligohen që, brenda territorit të tyre, të sigurojnë ofrimin e shkollimit në nivelin 1, 2 dhe 3 të ISCED-it në të gjitha gjuhët e mësimdhënies edhe nën numrin minimal për regjistrim të nxënësve të përcaktuar me akt nënligjor, ose të ofrojnë alternativa, duke përfshirë në mes të tjerash, transportin e subvencionuar deri në vendin ku ofrohet shkollimi. [5]

Në praktikë, shkollat e mesme të larta mund të funksionojnë si gjimnaze, shkolla profesionale ose shkolla të kombinuara, pra si institucione që përfshijnë njëkohësisht paralele të gjimnazit dhe profile profesionale. Si rregull, këto shkolla administrohen nga komunat. Megjithatë, ligji lejon që shkollat profesionale të administrohen edhe nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARR), qoftë që nga themelimi, qoftë mbi bazën e marrëveshjeve të veçanta me komunat përkatëse [8]. Në vitin shkollor 2025/26, AAAPARR i ka në menaxhim 5 shkolla profesionale që mbajnë emërtimin “qendra të kompetencës”.

Kriteret për themelimin e institucioneve publike të arsimit parauniversitar të niveleve ISCED 0-3 janë detajuar me Udhëzimin Administrativ Nr. 10/2023 [30] . Sipas këtij akti, institucionet themelohen nga komuna me pëlqimin e Ministrisë, ndërsa themelimi kushtëzohet fillimisht me plotësimin e disa kërkesave të përgjithshme: raporti mësimdhënës–nxënës duhet të jetë në përputhje me standardet në fuqi, duhet të sigurohet kuadër i kualifikuar mësimor, infrastruktura duhet t’i përmbushë standardet përkatëse, planprogramet duhet të jenë në harmoni me kurrikulat bërthamë, duhet të sigurohen mjetet financiare deri në përfshirjen eventuale në Grantin Specifik për Arsim, si dhe duhet të ekzistojë arsyeshmëri ekonomike për funksionimin normal të institucionit për së paku pesë vjet. Përveç këtyre kushteve të përgjithshme, akti nënligjor përcakton edhe kritere të veçanta sipas nivelit arsimor. Për institucionin e specializuar parashkollor (ISCED 0) kërkohen së paku dy grupe edukative dhe minimum 40 fëmijë, përkatësisht 20 në institucionet që u shërbejnë komuniteteve pakicë dhe në zonat malore ose kufitare. Për institucionin e nivelit fillor (ISCED 1) kërkohet së paku nga një paralele për klasat 1–5 dhe një paralele parafillore, si dhe minimum 60 nxënës, përkatësisht 30 në institucionet me mësim në gjuhët e komuniteteve pakicë dhe në zonat malore ose kufitare. Për institucionin e nivelit të mesëm të ulët (ISCED 2) kërkohet së paku nga dy paralele për klasat 6–9 dhe minimum 160 nxënës. Për institucionin e kombinuar të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët (ISCED 1-2) kërkohet së paku nga një paralele për klasat 1–9, një paralele parafillore dhe minimum 100 nxënës, përkatësisht 50 në institucionet me mësim në gjuhët e komuniteteve pakicë dhe në zonat malore ose kufitare. Ndërkaq, për institucionin e nivelit të mesëm të lartë (ISCED 3) kërkohet së paku nga tri paralele për klasat 10–12 dhe minimum 180 nxënës, përkatësisht 90 në institucionet me mësim në gjuhët e komuniteteve pakicë.

Udhëzimi administrativ rregullon edhe kushtet për themelimin e paraleleve të ndara, të cilat mund të hapen vetëm nëse, përveç kushteve të përgjithshme, ndodhen së paku 4 kilometra larg institucionit amë, kanë të paktën dy paralele të niveleve 1 ose 2 dhe të paktën 20 nxënës, përkatësisht 10 në institucionet me mësim në gjuhët e komuniteteve pakicë dhe në zonat malore ose kufitare. Me përjashtim, një paralele e ndarë mund të themelohet edhe kur këto kushte numerike nuk plotësohen, nëse transporti i fëmijëve deri te shkolla më e afërt konsiderohet i rrezikshëm ose zgjat më shumë se 45 minuta në një drejtim. [30]

Niveli 4 i ISCED paraqitet në Kornizën Kurrikulare si arsim postsekondar jouniversitar, i lidhur me nivelin 5 të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe me moshën 18+. Ligji për AAP-në e bën më të prekshme këtë hallkë duke parashikuar se kualifikimet dhe modulet e arsimit postsekondar që i takojnë nivelit 5 të KKK-së, qoftë profesionale apo akademike, mund të ofrohen edhe nga institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional [8]. Arsimi profesional passekondar në nivelin 4 të ISCED-it mund të bëhet në kolegje, institucione të aftësimit, qofshin ato publike apo private, në ndërmarrje publike apo private, ose sipas marrëveshjeve për partneritet konform ligjit [5].

Në kuadër të arsimit parauniversitar funksionojnë edhe qendrat burimore për mësim dhe këshillim, të cilat janë institucione edukativo-arsimore dhe rehabilituese për fëmijët dhe nxënësit me aftësi të kufizuara. Ato ofrojnë jo vetëm arsimim, por edhe mbështetje profesionale, këshillim, rehabilitim, materiale didaktike specifike, trajnime për mësimdhënësit dhe, në disa raste, edhe akomodim në konvikt. Këto institucione mbulojnë nivele të ndryshme arsimore, nga intervenimi i hershëm dhe klasa parafillore deri te arsimi fillor, i mesëm i ulët, i mesëm i lartë dhe arsimi joformal. Procesi mësimor zhvillohet sipas Kurrikulës së Kosovës, i përshtatur përmes planeve individuale të arsimit ose programeve sipas fushave të aktiviteteve, ndërsa qendrat burimore kanë edhe rol të rëndësishëm në vlerësimin e nevojave të nxënësve, në mbështetjen e shkollave të rregullta dhe në planifikimin e tranzicionit të nxënësve drejt formave më gjithëpërfshirëse të arsimit. Këto qendra financohen dhe mbikëqyren drejtpërdrejt nga MASH-i. [31]

2. Arsimi i lartë

Arsimi i lartë në Kosovë përfshin nivelet ISCED 5–8. Në strukturën e përgjithshme të sistemit, pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë, progresi mund të vazhdojë në arsimin profesional terciar dhe në universitet. Baza kryesore ligjore për organizimin e këtij nënsektori është Ligji Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës [6]. Sipas këtij ligji, arsimi i lartë organizohet në tri nivele kryesore. Niveli i parë, i cili korrespondon me ISCED 6, zgjat tre deri në katër vite dhe përfshin 180 ose 240 kredi ECTS, duke çuar në fitimin e diplomës Baçelor. Niveli i dytë (ISCED 7) zgjat një deri në dy vite pas përfundimit të nivelit të parë dhe përfshin 60 ose 120 kredi ECTS, duke çuar në fitimin e diplomës Master. Niveli i tretë (ISCED 8) përfshin programet e doktoratës, me karakter akademik dhe hulumtues-shkencor të pavarur. Përveç këtyre tri niveleve, ligji e përfshin në arsimin e lartë edhe çdo formë tjetër të arsimit pas shkollës së mesme në nivelet 5, 6, 7 dhe 8 të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (EQF), për të cilën mund të jepen kredi ECTS. Me kushtin e mundësisë së dhënies së kredive ECTS, niveli 5 i kualifikimit sipas EQF i përgjigjet klasifikimit ISCED 5 dhe identifikohet si “arsimi i lartë (cikli i shkurtër akademik)” [32].

Në aspektin institucional, arsimi i lartë mund të ofrohet nga institucione publike, institucione private dhe nga subjekte të themeluara në partneritet publiko-privat. Ligji përcakton se institucionet publike të arsimit të lartë janë universitetet dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë, ndërsa institucionet private mund të themelohen si institucione fitimprurëse ose jofitimprurëse.

Qasja në arsimin e lartë është e hapur për të gjithë personat, brenda ose jashtë territorit të Kosovës, pa diskriminim dhe pa kufizim moshe për regjistrim ose për fitimin e një kualifikimi të arsimit të lartë. Për regjistrim në programet përkatëse kërkohet zakonisht përfundimi i arsimit të mesëm të lartë dhe një kualifikim i barasvlershëm me certifikatën e maturës.

3. Arsimi i të rriturve

Arsimi dhe aftësimi për të rritur në Kosovë rregullohet me Ligjin Nr. 04/L-143 për Arsimin dhe Aftësimin për të Rritur në Republikën e Kosovës [14], i cili e përkufizon këtë fushë si pjesë përbërëse të sistemit arsimor në vend. Ligji e përcakton si i rritur çdo person që i ka mbushur 15 vjet, ndërsa arsimi dhe aftësimi për të rritur përfshin arsimin dhe aftësimin publik dhe privat të ofruar për këtë kategori. Sipas ligjit, sistemi i arsimit dhe aftësimit për të rritur përfshin arsimin dhe aftësimin formal, joformal dhe informal. Ligji e lidh këtë sistem drejtpërdrejt me KKK-në, duke përcaktuar se programet që shpijnë në një kualifikim duhet t’i përmbushin kriteret dhe standardet e përcaktuara me legjislacionin përkatës.

Në aspektin institucional, ofruesit e arsimit dhe aftësimit për të rritur mund të themelohen nga institucione publike, private, publiko-private, shoqata, ndërmarrje, organizata joqeveritare dhe persona fizikë. Ofruesit duhet të jenë të regjistruar si persona juridikë, ndërsa akreditohen dhe licencohen sipas legjislacionit në fuqi.

1.4. Arsimi privat

Arsimi privat lejohet në Republikën e Kosovës në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, si në arsimin parauniversitar, ashtu edhe në arsimin e lartë. Në rastin e arsimit formal, ushtrimi i veprimtarisë kushtëzohet me përmbushjen e kërkesave ligjore për licencim, dhe, varësisht nga niveli dhe lloji i programeve, edhe me procedura të akreditimit ose validimit nga organet përkatëse. Në të njëjtën kohë, institucionet private gëzojnë autonomi në përcaktimin e tarifave dhe pagesave të shkollimit, të cilat caktohen nga themeluesi ose bartësi i institucionit.

1. Arsimi parauniversitar privat

Sipas Ligjit, institucionet private arsimore dhe aftësuese të nivelit parauniversitar mund të themelohen nga subjekte juridike të regjistruara në Kosovë, ose nga një qytetar apo grup qytetarësh të Republikës së Kosovës. Ligji vendos edhe një kufizim të qartë në aspektin e mbrojtjes së fëmijëve: personi që është dënuar për vepër të dhunës ose për ndonjë vepër të pahijshme që ka përfshirë fëmijët, në Kosovë ose gjetkë, nuk mund të themelojë institucion të tillë, nuk mund të jetë i lidhur me financimin ose me ndonjë aspekt tjetër të funksionimit të tij dhe nuk mund të vazhdojë të jetë i ndërlidhur me të gjatë periudhës së dënimit. Po ashtu, ligji parasheh se standardet e licencimit të institucioneve arsimore dhe aftësuese përcaktohen me akt nënligjor të ministrisë. [5]

Për institucionet private parashkollore (ISCED 0), kushtet dhe kriteret e licencimit detajohen me Udhëzimin Administrativ Nr. 06/2011 për licencimin dhe regjistrimin e institucioneve edukativo-arsimore parashkollore private [33]. Ky udhëzim e përcakton ministrinë përgjegjëse për arsimin si organ kompetent për licencim dhe parasheh një regjim relativisht të detajuar të standardeve, i cili përfshin kushtet e përgjithshme dhe ligjore, strukturën organizative, dokumentacionin mbi pronësinë ose qiranë, vërtetimet sanitare dhe të mbrojtjes nga zjarri, statutin, rregullat e brendshme, kodin e mirësjelljes, listën e stafit dhe kualifikimeve të tij, programet sipas grupeve edukative, planin vjetor të punës dhe kushtet financiare. Udhëzimi përcakton edhe standarde konkrete për hapësirën dhe mjedisin, si kërkesa minimale për sipërfaqen e brendshme dhe të jashtme për fëmijë, pajisjet higjieno-sanitare, kushtet e sigurisë, si dhe nevojën që institucioni të ketë edhe pedagog ose psikolog.

Për institucionet private të niveleve 1, 2 dhe 3, licencimi detajohet me Udhëzimin Administrativ Nr. 17/2016 për kushtet dhe kriteret për licencimin e institucioneve private arsimore dhe aftësuese profesionale parauniversitare [34]. Nga përmbajtja e këtij udhëzimi del se licencimi nuk kufizohet vetëm në kontrollin formal të dokumentacionit, por përfshin edhe verifikimin e statusit juridik të themeluesit, kushteve të objektit, pajisjeve, kuadrit, planeve dhe programeve, dokumentacionit pedagogjik, planeve vjetore të punës dhe kushteve të sigurisë e të mbrojtjes në punë. Po ashtu, në funksion të mbrojtjes së interesit të nxënësve, nga pronari kërkohet një garanci bankare dhe një marrëveshje me një institucion tjetër për transferimin e nxënësve në rast të mbylljes së institucionit.

Një veçori e rëndësishme është se Udhëzimi parasheh kritere plotësuese për licencimin e institucioneve që ofrojnë programe të AAP-së, e që mund të jenë shkolla profesionale ose ofrues të tjerë. Përveç kritereve të përgjithshme, këto institucione duhet të akreditohen paraprakisht nga AKK-ja, ndërsa programet e tyre të validohen nga AKK-ja. Po ashtu, kërkohet që të kenë marrëveshje bashkëpunimi me ndërmarrje nga fusha përkatëse e studimit, si dhe të përmbushim kërkesa specifike për punishte, laboratorë dhe pajisje profesionale sipas profileve përkatëse, kuadër mësimdhënës dhe instruktorë me përgatitje adekuate profesionale, dokumentim të organizimit të mësimit praktik, si dhe kushte shtesë të sigurisë dhe të mbrojtjes gjatë realizimit të pjesës praktike. [34]

Legjislacioni përcakton se pronari mund të iniciojë mbylljen e institucionit vetëm në fund të vitit shkollor. Nëse institucioni mbyllet në kundërshtim me këtë rregull, ministria mund të përdorë fondin e garancisë në masën e nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të nxënësve/fëmijëve, në mënyrë që ata ta vazhdojnë dhe përfundojnë shkollimin në një institucion tjetër të njëjtë ose të përafërt. Ndërkaq, anulimi i licencës mund të bëhet nga ministria nëse institucioni paraqet rrezik serioz për shëndetin ose jetën e nxënësve apo të personelit, nëse është shërbyer me mashtrim për marrjen e licencës, nëse konstatohen parregullsi serioze në zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, ose nëse një akt administrativ përfundimtar apo vendim gjyqësor e kërkon këtë. Pas anulimit të licencës, institucioni ndalohet ta ushtrojë veprimtarinë, ndërsa institucioni mban pasojat financiare për dëmin e shkaktuar. [33], [34]

Sa i përket monitorimit, institucionet private parauniversitare nuk mbeten vetëm në fazën e licencimit fillestar. Ligji për Arsimin Parauniversitar e lidh funksionimin e tyre me mekanizmat e përgjithshëm të inspektimit dhe të mbikëqyrjes së cilësisë. Inspektimi i arsimit, nën autoritetin e ministrisë, mbulon respektimin e detyrimeve ligjore, funksionimin e organeve drejtuese, saktësinë e dokumentacionit pedagogjik dhe shkollor, organizimin e mësimit, numrin dhe kualifikimet e personelit, kushtet e shëndetit dhe sigurisë, si dhe zbatimin e kurrikulës, vlerësimit dhe përdorimit të teksteve e materialeve mësimore. Ligji parasheh gjithashtu se ministria mund të ndërpresë punën e institucioneve që nuk janë të licencuara ose që veprojnë në ambiente të pasigurta dhe të pashëndetshme.

2. Arsimi i lartë privat

Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, institucionet private të arsimit të lartë mund të themelohen nga kompani private, fondacione ose truste me vendqëndrim dhe zyrë të regjistruar në Kosovë. Ligji i lejon këto institucione të deklarohen si institucione fitimprurëse ose jofitimprurëse, ndërsa statutet e tyre duhet të përcaktojnë strukturën e qeverisjes dhe të menaxhimit, si edhe misionin dhe qëllimet strategjike të institucionit. Emërtimet si “universitet”, “kolegj universitar”, “kolegj”, “institut”, “shkollë” ose “akademi” mund të përdoren vetë me lejen e ministrisë, me rekomandimin e AKA-së. [6]

Ligji përcakton se një institucion privat i arsimit të lartë aplikon për akreditim dhe për licencë në bazë të dispozitave të tij dhe mund ta fillojë veprimtarinë vetëm pas marrjes së licencës. Kusht për marrjen e licencës është paraqitja pranë ministrisë e një plani strategjik dhe e një plani biznesi, të shoqëruar me garanci për qëndrueshmëri financiare për së paku tri vjet. Përveç kësaj, ligji kërkon që statuti i institucionit të sigurojë ndarjen e qartë ndërmjet pronësisë dhe udhëheqjes akademike, që institucioni të ketë objekte dhe burime të përshtatshme fizike, kuadër akademik dhe administrativ të kontraktuar ligjërisht, sisteme financiare të audituara, akreditim institucional dhe programor, garanci financiare të bazuar në numrin e studentëve, si dhe marrëveshje me të paktën dy institucione të tjera të akredituara, në mënyrë që studentët të mund të transferohen në rast falimentimi ose tërheqjeje të akreditimit.

Këto kërkesa detajohen më tej me Udhëzimin Administrativ Nr. 25/2012 për licencimin e institucioneve private të arsimit të lartë në Kosovë, i cili parasheh një listë të gjerë kushtesh dhe kriteresh për licencim. Përveç kërkesës formale për licencë, vendimit për themelim dhe dokumenteve bazë të regjistrimit, kërkohet dëshmi për pronësinë ose shfrytëzimin afatgjatë të objektit, vërtetime për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare dhe të mbrojtjes nga zjarri, statut për qeverisje, kod të mirësjelljes, dëshmi se ndaj themeluesit nuk zhvillohet procedurë ligjore, si dhe dokumentacion i plotë për programet e studimit, planin vjetor të punës, kontratat model me studentë dhe personel, bibliotekën, laboratorët, kabinetet, pajisjet dhe kuadrin akademik. Udhëzimi kërkon gjithashtu listën e stafit mësimor me gradat dhe kualifikimet përkatëse, përfshirë dëshmi për njohjen ose nostrifikimin e diplomave të fituara jashtë vendit. [35]

Një element i rëndësishëm i këtij rregullimi është ndërlidhja e drejtpërdrejtë e licencimit me akreditimin. Ligji e përcakton akreditimin nga AKA si parakushtin kryesor për licencim, ndërsa Udhëzimi Administrativ 25/2012 parasheh se ministria licencon institucionet private pasi programet e tyre të jenë akredituar nga AKA ose nga një organ tjetër akreditues i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i organizmave përkatës, dhe të miratuar nga AKA. Licenca mund të zgjasë deri në pesë vjet, varësisht nga kohëzgjatja e akreditimit, ndërsa institucioni mund të ofrojë vetëm ato programe për të cilat është i akredituar.

Institucionet private të arsimit të lartë i nënshtrohen një mbikëqyrjeje të dyfishtë, si në aspektin e licencimit, ashtu edhe në aspektin e sigurimit të cilësisë. Ligji për Arsimin e Lartë përcakton se AKA këshillon ministrinë lidhur me dhënien, ndryshimin ose anulimin e licencave dhe kryen kontrolle periodike të cilësisë mbi institucionet e licencuara dhe programet e tyre, ndërsa ministria mund të autorizojë edhe inspektime të tjera për të vlerësuar përmbushjen e kushteve të licencimit. Ndërkaq, Ligji për AKA-në e rregullon monitorimin si proces të rregullt formal për të verifikuar nëse institucionet dhe programet i përmbushin vazhdimisht kushtet e akreditimit. Ky monitorim realizohet së paku një herë në vit akademik, mund të jetë me ose pa paralajmërim, i përgjithshëm, sipas standardeve të veçanta, pasakreditues ose ad hoc, dhe në rast të mosplotësimit të kritereve minimale mund të çojë deri te tërheqja e akreditimit nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. [15]

1.5. Korniza Kombëtare e Kualifikimeve

Korniza Kombëtare e Kualifikimeve (KKK) është instrument kyç i reformimit të sistemit të arsimit dhe aftësimit në Kosovë. Ajo është zhvilluar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK), fillimisht në vitin 2011, ndërsa është rishikuar dhe plotësuar nga viti 2017 për t’iu përshtatur më mirë zhvillimeve në sistemin kombëtar të kualifikimeve, nevojave të tregut të punës dhe politikave evropiane. [29]

KKK synon të rrisë cilësinë dhe relevancën e arsimit dhe aftësimit duke nxitur zhvillimin e kualifikimeve të bazuara në standarde të krahasueshme ndërkombëtare të njohurive, shkathtësive dhe kompetencave. Ajo synon gjithashtu të rrisë transparencën e sistemit kombëtar të kualifikimeve, të sqarojë raportet ndërmjet llojeve të ndryshme të kualifikimeve dhe të krijojë bazë për krahasimin e arritjeve në të gjitha pjesët e sistemit. Një funksion tjetër themelor është mbështetja e mësimit gjatë gjithë jetës, përmes qasjes në të nxënë, përparimit nëpër nivele, transferimit të njohurive e shkathtësive, njohjes së mësimit paraprak dhe certifikimit më fleksibil të arritjeve.

KKK përbëhet nga tetë nivele, të përcaktuara përmes përshkruesve të nivelit në tri komponentë: njohuri, shkathtësi dhe kompetenca. Korniza përfshin kualifikime të fituara në kontekste formale, joformale dhe informale, ndërsa secili kualifikim vendoset në nivel përmes proceseve të validimit, akreditimit dhe sigurimit të cilësisë. Nivelet janë ndërtuar mbi logjikën e Kornizës Evropiane të Kualifikimeve dhe rriten gradualisht sipas kompleksitetit, intensitetit dhe autonomisë së të nxënit.

Niveli 1 përfshinë kualifikimet e fituara pas përfundimit të kurseve kompensuese të arsimit bazik, ose kurseve të shkurtra të aftësimit, të ofruara nga ofruesit e aftësimit. Këto kualifikime janë ekuivalente me përfundimin e arsimit fillor.

Niveli 2 përfshinë kualifikimet e fituara pas përfundimit të kurseve të shkurtra të aftësimit që mbulojnë shkathtësitë bazike profesionale të punës të nivelit të ulët (shkrim-leximit, numërimit apo aftësi për TIK) të ofruara nga ofruesit joformalë të aftësimit. Këto kualifikime janë ekuivalente me përfundimin e arsimit të mesëm të ulët.

Niveli 3 përfshinë kualifikime që fitohen pas përfundimit të dy vjetëve të arsimit formal të mesëm të lartë profesional dhe certifikatave të fituara pas përfundimit të kurseve të shkurtra të aftësimit, të ofruara nga ofruesit e AAP.

Niveli 4 përfshinë kualifikimin e Maturës të fituar pas përfundimit të arsimit të përgjithshëm dhe të mesëm të lartë profesional, certifikatave të fituara pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë profesional formal, si dhe certifikatat e fituara pas përfundimit të kurseve të shkurtra të aftësimit të ofruara nga ofruesit joformalë të AAP.

Niveli 5 parashikon kualifikimet akademike dhe profesionale (formale dhe joformale) që janë në mes të arsimit të mesëm dhe të lartë.

Niveli 6 përfshinë programe akademike dhe profesionale të arsimit të lartë, përfundimi i të cilave çon në një kualifikim me një titull të përgjithshëm Baçelor. Gjithashtu, janë parashikuar edhe kualifikimet e fituara pas përfundimit të trajnimeve të cilat deri tani nuk janë në KKK.

Niveli 7 përfshinë programe akademike dhe profesionale të arsimit të lartë, përfundimi i të cilave çon në një kualifikim me një titull të përgjithshëm Master. Gjithashtu, janë parashikuar edhe kualifikimet e fituara pas përfundimit të trajnimeve të cilat deri tani nuk janë në KKK.

Niveli 8 përfshinë programe akademike dhe profesionale të arsimit të lartë, përfundimi i të cilave çon në një kualifikim me një titull të përgjithshëm të Doktoratës.

KKK identifikon gjashtë lloje të gjera kualifikimesh: kualifikimet e arsimit të lartë, kualifikimet e arsimit të përgjithshëm, kualifikimet kombëtare të kombinuara, kualifikimet kombëtare profesionale, kualifikimet e bazuara në standarde ndërkombëtare dhe kualifikimet e përshtatura.

Kualifikimet e arsimit të lartë zhvillohen sipas rregullave të Kornizës së Bolonjës dhe përfshijnë ciklin e shkurtër, Baçelor-in, Master-in dhe Doktoratën; titujt e tyre përmbajnë emrin dhe llojin e kualifikimit, nivelin dhe fushën kryesore të studimit.

Kualifikimet e arsimit të përgjithshëm zhvillohen në përputhje me Kornizën Kurrikulare të Kosovës dhe bazohen në lëndët shkollore dhe kompetencat ndërkurrikulare; këtu hyjnë, ndër të tjera, dëftesa e kryerjes së arsimit fillor, certifikata e arsimit të mesëm të ulët, diploma e arsimit të mesëm të lartë dhe certifikata e maturës.

Ndërkaq, kualifikimet kombëtare të kombinuara përfaqësojnë një tip të veçantë, sepse ndërthurin përmbajtjen e Kornizës Kurrikulare të Kosovës me Standardet Kombëtare të Profesionit; ato vendosen në nivelet 3 dhe 4 të KKK-së, ofrohen nga institucione të akredituara dhe të licencuara, dhe shpien te Certifikata Kombëtare e Kombinuar, Diploma Kombëtare e Kombinuar dhe Certifikata e Maturës. Shembuj të kualifikimeve të tilla janë: Certifikatë Kombëtare e Kombinuar në Ndërtimtari – niveli 3; ose Diploma Kombëtare e Kombinuar në Financa – niveli 4.

Kualifikimet kombëtare profesionale bazohen në Standardet Kombëtare të Profesionit dhe synojnë që kandidati të fitojë njohuri, shkathtësi dhe kompetenca profesionale që lidhen me një profesion ose rol pune të caktuar; ato mund të vendosen në nivelet 2–5 të KKK-së dhe përfshijnë certifikata të arritshmërisë, certifikata kombëtare profesionale dhe diploma kombëtare profesionale. Shembuj: Certifikatë Kombëtare Profesionale në Hortikulturën dekoruese – niveli 2; Certifikata e arritjeve në floktari – ngjyrosje dhe grim – niveli 3, Diploma Kombëtare Profesionale në Pylltari – niveli 4 dhe Diploma Kombëtare Profesionale në Menaxhimin Financiar – niveli 5.

Kualifikimet e bazuara në standarde ndërkombëtare zhvillohen në përputhje me standarde të njohura ndërkombëtare dhe, në raste të caktuara, edhe me Kornizën Kurrikulare të Kosovës. Shembuj: Certifikatë për përdorimin e bazës së të dhënave – niveli 2 – standardet ICDL; Diplomë në Kontabilitet – niveli 5 – standardet ACCA dhe Certifikata e arritshmërisë në gjuhën gjermane për fillestarë – A1 – standardi CFER.

Kualifikimet e përshtatura dizajnohen sipas standardeve të zhvilluesit të kualifikimit, të pranuara nga AKK, dhe mund të vendosen, në parim, në cilindo nivel të KKK-së. Shembuj: Certifikatë e përshtatur për siguri teknike për personelin në kantier; Certifikatë e përshtatur për shkathtësi digjitale në administratën komunale.

Implementimi i KKK-së realizohet përmes një sistemi të kombinuar të validimit të kualifikimeve, verifikimit të standardeve të profesionit, akreditimit të institucioneve, vlerësimit dhe certifikimit, si dhe monitorimit të institucioneve të akredituara. AKK është institucioni udhëheqës për zhvillimin strategjik të Kornizës, por përgjegjësitë implementuese ndahen ndërmjet tri institucioneve: AKK për kualifikimet e arsimit dhe aftësimit profesional, MASH për kualifikimet e arsimit të përgjithshëm dhe AKA për kualifikimet e arsimit të lartë (nivelet 6-8).

Një nga funksionet themelore të KKK-së është përputhshmëria me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF). Edhe ligji për arsimin parauniversitar e përkufizon KKK-në si mekanizëm që përcakton nivelet dhe llojet e rezultateve të të nxënit në përputhje me EQF-në. KKK ka tetë nivele, sikurse EQF, dhe përshkruesit e saj janë ndërtuar mbi përshkruesit e EQF-it, të përshtatur për kontekstin kosovar. Në fund të vitit 2016, Kosova përfundoi referencimin zyrtar të KKK-së me EQF-in. Raporti i referencimit është dokumenti teknik dhe shpjegues përmes të cilit paraqitet dhe argumentohet lidhja ndërmjet niveleve të KKK-së dhe niveleve të EQF-së. Raporti i referencimit e bën sistemin e kualifikimeve të Kosovës më transparent, më të krahasueshëm dhe më të kuptueshëm në kontekstin evropian, duke lehtësuar njohjen e kualifikimeve dhe krahasimin e tyre me ato të vendeve të tjera evropiane. [36]

1.6. Administrimi dhe qeverisja në nivel qendror

Administrimi dhe qeverisja e arsimit në nivel qendror ushtrohen përmes ministrisë përgjegjëse për arsimin, agjencive të specializuara dhe ministrive të tjera që kanë kompetenca të caktuara në fusha të ndërlidhura me arsimin. Ministria udhëheq politikat, legjislacionin, standardet, planifikimin dhe mbikëqyrjen e sistemit, ndërsa agjencitë qendrore ushtrojnë funksione të posaçme në arsimin dhe aftësimin profesional, kualifikimet kombëtare dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. Ministritë e tjera marrin pjesë në çështje që lidhen, ndër të tjera, me tregun e punës, financimin dhe koordinimin ndërsektorial.

1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Sipas Rregullores (QRK) Nr. 04/2026 për fushat e përgjegjësisë administrative të ministrive, ministria përgjegjëse për arsimin në Qeverinë aktuale është Ministria e Arsimit dhe Shkencës. [37]

Në këtë kuptim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgjegjësi administrative të përgjithshme në fushat e:

  • edukimit në fëmijërinë e hershme, arsimit parauniversitar, arsimit të lartë, shkencës dhe inovacionit shkencor;

  • propozimit të legjislacionit, dokumenteve strategjike dhe akteve nënligjore në këto fusha;

  • zbatimit të politikave publike dhe legjislacionit;

  • mbështetjes së një sistemi arsimor jodiskriminues dhe të mundësive për mësim gjatë gjithë jetës;

  • përpilimit dhe mbikëqyrjes së formave të administrimit dhe menaxhimit të institucioneve arsimore, të arsimit të lartë dhe të institucioneve shkencore;

  • përmirësimit të cilësisë dhe efikasitetit në arsim, aftësim, studim, hulumtim dhe inovacion;

  • planifikimit, zhvillimit dhe mbikëqyrjes së infrastrukturës fizike dhe teknologjike;

  • mbikëqyrjes, inspektimit dhe monitorimit të zbatimit të legjislacionit, standardeve dhe politikave;

  • planifikimit buxhetor, konsultimit institucional dhe bashkëpunimit vendor e ndërkombëtar në fushat e përgjegjësisë së saj.

Krahas fushave të përgjegjësisë që burojnë nga Kushtetuta dhe nga legjislacioni relevant për organizimin e Qeverisë, me legjislacionin sektorial të arsimit përcaktohen edhe kompetencat më specifike të ministrisë në secilin nënsektor të arsimit. Disa prej këtyre kompetencave janë natyrshëm të përfshira edhe brenda fushave të përgjithshme të përgjegjësisë administrative, por ligjet e arsimit i konkretizojnë ato në mënyrë më të detajuar.

arsimin parauniversitar, sistemi në Kosovë është në masë të konsiderueshme i decentralizuar, pasi komunat kanë kompetenca të gjera në ofrimin dhe menaxhimin e shërbimeve arsimore. Megjithatë, ministria përgjegjëse për arsimin e ruan rolin qendror në planifikimin e sistemit, vendosjen e standardeve, rregullimin normativ dhe sigurimin e cilësisë. Në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, kompetencat më specifike të ministrisë përfshijnë:

  • përcaktimin e rezultateve të niveleve të arsimit dhe dhënien ose autorizimin e dhënies së kualifikimeve sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve;

  • vendosjen dhe administrimin e sistemit të licencimit të mësimdhënësve;

  • zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të informacionit për menaxhimin e arsimit;

  • përcaktimin e kritereve për vlerësimin dhe notimin e nxënësve dhe organizimin e vlerësimit të jashtëm për nivelet përkatëse;

  • nxjerrjen e akteve nënligjore për kalendarin shkollor, kohëzgjatjen e mësimit, numrin maksimal të nxënësve për klasë, raportin nxënës–mësimdhënës, provimet dhe çështje të tjera të funksionimit të sistemit etj.;

  • ofrimin e të dhënave dhe standardeve për formulën e Grantit Specifik për Arsim;

  • miratimin e investimeve kapitale për ndërtimin dhe renovimin e objekteve arsimore të financuara nga buxheti i Kosovës dhe donatorët;

  • veprimin si organ i shkallës së dytë ndaj vendimeve të organeve të tjera arsimore, kur e drejta e ankesës parashihet me ligj. [5]

Përveç këtyre kompetencave të përgjithshme, legjislacioni sektorial i jep ministrisë edhe disa përgjegjësi më të posaçme në nënsektorë të veçantë. Në edukimin në fëmijërinë e hershme, ministria ka rol të posaçëm në:

  • krijimin e mekanizmave për identifikimin dhe referimin e hershëm të fëmijëve;

  • zhvillimin e standardeve për monitorimin dhe vlerësimin e cilësisë së performancës së institucioneve të EFH-së;

  • zhvillimin dhe monitorimin e standardeve kombëtare të profesioneve të përfshira në këtë fushë;

  • hartimin e kodit etik për profesionet edukative. [9]

arsimin dhe aftësimin profesional, kompetencat shtesë të ministrisë lidhen sidomos me orientimin e këtij nënsektori kah nevojat e tregut të punës dhe bashkëpunimi me partnerët socialë. Në këtë kuadër, ministria:

  • koordinon fushën e AAP me ministrinë përgjegjëse për punën;

  • mban regjistrin e institucioneve të AAP-së;

  • propozon themelimin e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe për të Rritur (AAAPRR);

  • themelon Këshillin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe për të Rritur (KAAPRR) si organ këshillëdhënës;

  • rregullon me akte nënligjore çështje që lidhen me autonominë dhe funksionimin e institucioneve të AAP-së, me modulet dhe kualifikimet, me sigurinë në aftësimin praktik dhe me format duale ose të kombinuara të arsimit dhe aftësimit profesional. [8]

arsimin e lartë, roli i ministrisë është më i drejtpërdrejtë dhe më i përqendruar sesa në arsimin parauniversitar. Në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, kompetencat më specifike të ministrisë përfshijnë:

  • planifikimin e zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë, në konsultim me institucionet e akredituara të arsimit të lartë;

  • rregullimin e statusit të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë dhe miratimin e statuteve të tyre, ndërsa statutet e universiteteve dhe të institucioneve që aplikojnë për titullin “universitet” ratifikohen nga Kuvendi;

  • ndarjen e fondeve publike për institucionet e arsimit të lartë për mësimdhënie dhe hulumtim;

  • licencimin e institucioneve të arsimit të lartë;

  • autorizimin e formatit dhe përmbajtjes së diplomës dhe shtojcës së diplomës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Akreditim;

  • rregullimin e njohjes akademike dhe profesionale të kualifikimevetë fituara jashtë vendit;

  • propozimin dhe administrimin e skemave të mbështetjes financiare për studentët;

  • krijimin e Këshillit Shtetëror për Arsimin e Lartë si organ këshillëdhënës për ministrin;

  • promovimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, industrisë, tregtisë dhe institucioneve ndërkombëtare. [6]

Përveç këtyre, ligji i jep ministrisë edhe rol të posaçëm në krijimin, emërtimin dhe mbylljen e institucioneve publike të arsimit të lartë. Institucionet publike mund të krijohen vetëm me vendim të ministrisë, i cili duhet të ratifikohet nga Kuvendi, ndërsa emërtimi i tyre përcaktohet nga ministria sipas kritereve ligjore. Po ashtu, ministria mund të propozojë shuarjen ose mbylljen e një institucioni publik kur e konsideron këtë në interesin e përgjithshëm, pas konsultimit me organet përkatëse dhe me AKA-në.

2. Agjencitë në nivel qendror

Në nivelin qendror, në fushën e arsimit operojnë tri agjenci me funksione të ndryshme, por komplementare: Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr), Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA). Ndërsa AAAPARr vepron kryesisht në administrimin dhe zhvillimin e sektorit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe të arsimit të të rriturve, AKK rregullon sistemin kombëtar të kualifikimeve jashtë fushës së arsimit të lartë, kurse AKA është agjencia rregullatore për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr) është institucion i themeluar nga Qeveria, me propozim të MASH, me qëllim mbikëqyrjen dhe zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional dhe të arsimit të të rriturve. Sipas Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, ajo është përgjegjëse për administrimin dhe udhëheqjen e institucioneve publike të AAP-së dhe të arsimit të të rriturve në aspektin e burimeve financiare, njerëzore, objekteve dhe infrastrukturës, për koordinimin e studimeve dhe projekteve ndërkombëtare, për përfshirjen e partnerëve socialë dhe sektorit privat, si dhe për mbikëqyrjen dhe koordinimin e zhvillimit të standardeve të profesionit. I njëjti ligj parasheh që, nën mbikëqyrjen e saj, përgjegjësi të caktuara të institucioneve publike t’u barten gradualisht vetë shkollave, varësisht nga kapacitetet e tyre. [8]

Funksionet e AAAPARr-it detajohen më tej me udhëzim administrativ, i cili e vendos agjencinë nën autoritetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe e përkufizon si organ me rol ekzekutiv dhe mbështetës ndaj institucioneve të AAP-së dhe të arsimit të të rriturve. Në këtë kuadër, agjencia ka rol në këshillimin dhe mbështetjen e institucioneve, në mbikëqyrjen funksionale dhe teknike të tyre, në mbikëqyrjen e stafit, në përgatitjen e planeve strategjike dhe buxhetore, në propozimin e shpërndarjes së burimeve, në nxitjen e institucioneve për të gjeneruar të hyra dhe për të shfrytëzuar në mënyrë më efikase infrastrukturën, si dhe në raportimin ndaj organit drejtues dhe ministrisë. [38]

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) është agjencia e themeluar me Ligjin për Kualifikimet Kombëtare për të zhvilluar Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK) dhe për të rregulluar Sistemin Kombëtar të Kualifikimeve. Ligji përcakton se AKK krijon dhe mirëmban kornizën gjithëpërfshirëse të kualifikimeve dhe rregullon dhënien e kualifikimeve brenda saj, me përjashtim të kualifikimeve që rregullohen nga legjislacioni i arsimit të lartë ose nga ligje të tjera të posaçme. Qëllimi i këtij sistemi është të përmirësojë njohjen e kualifikimeve, të sigurojë që ato t’u përgjigjen nevojave të tregut të punës, të rregullojë vlerësimin dhe certifikimin mbi bazën e cilësisë dhe standardeve, si dhe të përmirësojë qasjen, fleksibilitetin dhe transferin brenda sistemit të kualifikimeve. Në aspektin funksional, AKK ka rol rregullator në raport me kualifikimet dhe institucionet që i ofrojnë ose i vlerësojnë ato. Funksionet e tij përfshijnë aprovimin dhe riaprovimin e dispozitave për standarde, vlerësim dhe certifikim për kualifikimet në KKK, akreditimin, rregullimin dhe monitorimin e institucioneve të vlerësimit dhe të organeve të tjera që ushtrojnë funksione në emër të tij, sigurimin e jashtëm të cilësisë së vlerësimeve që çojnë në kualifikime, mirëmbajtjen e bazës së të dhënave dhe evidencave dokumentuese të kualifikimeve, shqyrtimin e ankesave të kandidatëve, kryerjen e rishikimeve periodike dhe krahasimeve ndërkombëtare, si dhe këshillimin e institucioneve lidhur me krahasueshmërinë dhe barasvlerën e kualifikimeve të huaja. [13]

Në fushën e AAP-së, ligji përkatës parasheh gjithashtu që AKK verifikon standardet e profesionit dhe akrediton institucionet që lëshojnë kualifikime me njohje kombëtare. [8]

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), nga ana tjetër, është agjencia rregullatore për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. Ligji i vitit 2023 e përkufizon atë si institucion përgjegjës për vlerësimin, akreditimin, riakreditimin, validimin, kontrollin e cilësisë dhe monitorimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të tyre të studimit. Fushëveprimi i saj përfshin si sigurimin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm të cilësisë, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, në veçanti, me standardet evropiane të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Detyrat e AKA-së përfshijnë akreditimin dhe riakreditimin e institucioneve dhe programeve të studimit, akreditimin e institucioneve të reja dhe të programeve të reja, akreditimin dhe validimin e programeve online, në distancë, në gjuhë të huaja, të përbashkëta ose me diploma të dyfishta, validimin e institucioneve dhe programeve të akredituara ndërkombëtarisht, kontrollin dhe avancimin e vazhdueshëm të cilësisë, monitorimin e zbatimit të kritereve të akreditimit, si dhe tërheqjen ose revokimin e akreditimit kur këto kritere nuk përmbushen më. Përveç kësaj, AKA harton dhe miraton rregulla, procedura dhe standarde për proceset e saj, bashkëpunon me ministrinë lidhur me licencimin dhe harmonizimin e afateve, dhe publikon raporte e analiza vjetore mbi sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. [15]

3. Ministritë e tjera me rol në fushën e arsimit

Përveç ministrisë përgjegjëse për arsimin, legjislacioni i Kosovës u njeh edhe disa ministrive të tjera role të caktuara në fusha të veçanta të sistemit arsimor. Këto role nuk kanë karakter udhëheqës mbi sistemin e arsimit, por lidhen me funksione mbështetëse, bashkërenduese ose financiare.

Sipas Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, Ministria përgjegjëse për punënka një rol të rëndësishëm bashkërendues dhe mbështetës, sidomos në ato aspekte të AAP-së që lidhen me tregun e punës, me klasifikimin e profesioneve dhe me përafrimin e ofertës arsimore me nevojat e ekonomisë. Roli më i drejtpërdrejtë i Ministrisë së Punës shfaqet në planifikimin e ofertës së AAP-së në raport me kërkesën për aftësi dhe profesione. Ligji përcakton se Ministria e Punës, së bashku me partnerët socialë, bën analizën e nevojave të tregut të punës dhe e mbështet ministrinë përgjegjëse për arsimin në planifikimin e kërkesave për arsim dhe aftësim profesional. Po ashtu, Ministria e Punës, në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, është përgjegjëse për klasifikimin e profesioneve, që shërben si bazë për emërtimin e profileve dhe për harmonizimin e tyre me strukturën e tregut të punës. Ministria e Punës ka rol edhe në zhvillimin e standardeve të profesionit dhe në mekanizmat këshillëdhënës të sistemit. Ligji parasheh se standardet e profesionit zhvillohen në bashkëpunim ndërmjet ministrisë përgjegjëse për arsimin, AKK-së, Ministrisë së Punës, ministrive të tjera relevante dhe partnerëve socialë. Përveç kësaj, Ministria e Punës përfaqësohet në Këshillin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe për të Rritur (KAAPRR), ku merr pjesë në shqyrtimin e zhvillimeve të sistemit dhe në formulimin e këshillave e rekomandimeve për politikat e AAP-së. [8]

Ndër ministritë e tjera me rol në fushën e arsimit duhet veçuar edhe Ministria e Financave, sidomos në raport me financimin e arsimit parauniversitar në nivel komunal. Ligji për Financat e Pushtetit Lokal përcakton se komunat marrin një Grant Specifik për Arsim, i cili përdoret për financimin e kostos së ofrimit të nivelit minimal standard të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm. Formula e grantit përcaktohet çdo vit nga Komisioni i Granteve, i cili funksionon nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë dhe me mbështetje të Ministrisë së Financave. Përveç kësaj, Ministria e Financave ka rol edhe në mbikëqyrjen e ekzekutimit të financave komunale, përfshirë edhe mjetet e dedikuara për arsim, përmes rregullave të përgjithshme të menaxhimit të financave publike dhe mbështetjes së sistemeve komunale të menaxhimit financiar. [18]

1.7. Administrimi dhe qeverisja në nivel komunal dhe institucional

Ky seksion paraqet mënyrën e administrimit dhe qeverisjes së arsimit në nivel komunal dhe institucional, duke trajtuar përgjegjësitë e komunave dhe të organeve drejtuese e menaxhuese të institucioneve arsimore, si dhe rregullimet e veçanta për arsimin në gjuhën serbe.

1. Arsimi parauniversitar

Qeverisja e arsimit parauniversitar në nivel lokal ushtrohet përmes komunës, e cila administron ofrimin e arsimit publik në territorin e saj, dhe përmes organeve drejtuese e menaxhuese të shkollës, të cilat sigurojnë funksionimin e institucionit në përputhje me legjislacionin dhe standardet kombëtare.

Komuna

Në nivelin lokal, qeverisja e arsimit në Kosovë mbështetet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale [17] dhe në Ligjin për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës [7]. Këto dy ligje e vendosin arsimin publik parashkollor, fillor dhe të mesëm në fushën e kompetencave të plota dhe ekskluzive të komunave, për aq sa bëhet fjalë për interesin lokal dhe duke respektuar standardet e përcaktuara me legjislacionin qendror. Në të njëjtën kohë, ligji kërkon që komunat të sigurojnë shërbime administrative të mjaftueshme për fushën e arsimit, gjë që nënkupton emërimin e drejtorit komunal për arsimin dhe sigurimin e personelit mbështetës profesional të mjaftueshëm për ushtrimin e detyrave të parapara me ligj.

Në këtë kuadër, kompetencat kryesore të komunave në arsimin publik përfshijnë:

  • ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm si pjesë e kompetencave të tyre vetanake;

  • ndërtimin e objekteve shkollore me buxhet të komunës dhe krijimin e kushteve fizike për zhvillimin e procesit arsimor;

  • regjistrimin dhe pranimin e nxënësve në pajtim me parimet e mosdiskriminimit;

  • punësimin e mësimdhënësve dhe personelit tjetër të shkollave sipas procedurave ligjore të rekrutimit;

  • zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve edukativo-arsimore sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara me ligj;

  • pagesën e stafit mësimor, menaxherial dhe të personelit tjetër të institucioneve arsimore;

  • trajnimin e mësimdhënësve dhe stafit profesional në pajtim me udhëzimet, parimet dhe standardet e përcaktuara nga ministria përgjegjëse për arsimin;

  • mbikëqyrjen e procesit arsimor në nivel lokal, në përputhje me udhëzimet e ministrisë;

  • përgatitjen, miratimin dhe zbatimin e rregullores së punës për shkollat, përfshirë kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore;

  • raportimin ndaj qeverisë lokale dhe ministrisë për çështjet arsimore, buxhetore dhe menaxhuese;

  • monitorimin e vijueshmërisë së nxënësve dhe raportimin ndaj prindërve ose autoriteteve përgjegjëse;

  • caktimin e shumave të participimit të prindërve për pranimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte, në pajtim me ligjin;

  • bashkëpunimin me komuna të tjera dhe me autoritete të tjera brenda sferës së kompetencave të veta në arsim.

Komunat janë niveli i qeverisjes ku politikat dhe standardet qendrore të arsimit përkthehen në vendime konkrete organizative, administrative dhe buxhetore. Përmes organeve të tyre dhe, në veçanti, përmes drejtorisë komunale përgjegjëse për arsimin, ato sigurojnë funksionimin e rregullt të institucioneve arsimore publike në territorin e vet, bashkërendojnë marrëdhëniet ndërmjet shkollave dhe autoriteteve qendrore, dhe mbajnë përgjegjësi për zbatimin praktik të detyrimeve ligjore në nivel lokal. Në këtë kuptim, komuna nuk është vetëm njësi ofruese e shërbimeve arsimore, por edhe hallka kryesore ndërmjet politikëbërjes qendrore dhe administrimit të përditshëm të arsimit parauniversitar.

Shkolla

Në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, organizimi i brendshëm i shkollës mbështetet në disa organe dhe funksione kryesore: Këshillin drejtues, Këshillin e nxënësve, Këshillin e prindërve, drejtorin dhe zëvendësdrejtorin, si dhe, varësisht nga madhësia e institucionit, sekretarin ose administratorin. Ligji e trajton Këshillin drejtues si organin kryesor të qeverisjes së shkollës, ndërsa drejtori si organin kryesor ekzekutiv të menaxhimit dhe administrimit të saj. Po ashtu, në shkollat e niveleve 2 dhe 3 të ISCED-it parashihet edhe Këshilli i nxënësve, ndërsa në çdo institucion arsimor apo aftësues parashihet Këshilli i prindërve. [5]

Këshilli drejtues i shkollës është organi më i lartë këshillëdhënës dhe vendimmarrës në shkollë. Ai përbëhet nga përfaqësues të prindërve, të komunitetit, të mësimdhënësve dhe, në shkollat e niveleve 2 dhe 3 të ISCED-it, edhe nga një përfaqësues i nxënësve. Mandati i anëtarëve zgjat tri vjet, me mundësi rizgjedhjeje për përfaqësuesit e prindërve dhe të mësimdhënësve, ndërsa kryetari zgjidhet çdo vit nga radhët e prindërve. Drejtori i shkollës ushtron funksionin e sekretarit të Këshillit drejtues, merr pjesë në debat, raporton për aktivitetet dhe financat e shkollës, por nuk ka të drejtë vote. Legjislacioni në fuqi e rregullon në mënyrë më të hollësishme edhe mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve, funksionimin e mbledhjeve, kuorumin, procesverbalet, konfliktin e interesit dhe rastet e shkarkimit ose pushimit të mandatit të anëtarëve, duke theksuar gjithashtu se anëtarët e këshillit punojnë pa pagesë dhe se në formimin e tij duhet të merret parasysh barazia gjinore. [5], [39]

Sa i përket kompetencave të Këshillit drejtues, ato përfshijnë hartimin e rregullave të shkollës për miratim nga komuna, përzgjedhjen e dy vëzhguesve në procedurat e emërimit të drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe mësimdhënësve, ushtrimin e funksioneve që lidhen me shfrytëzimin e buxhetit të shkollës, vendosjen për përdorimin e fondeve të siguruara nga prindërit ose donatorët, miratimin e aktiviteteve jashtëkurrikulare, vendosjen për kodin e veshjes, miratimin e listës së teksteve dhe materialeve shkollore, si dhe kontributin në hartimin e planit zhvillimor të arsimit në nivel komunal kur ai lidhet me shkollën përkatëse. Legjislacioni përcakton se Këshilli drejtues duhet të mblidhet rregullisht sipas planit të punës dhe, sipas nevojës, edhe në mënyrë të jashtëzakonshme; mbledhjet duhet të kenë rend dite të qartë, kuorum dhe procesverbal, ndërsa dokumentacioni financiar duhet të mbahet në mënyrë të rregullt për auditim dhe inspektim. [5], [39]

Këshilli i prindërve është organ i detyrueshëm në çdo institucion arsimor apo aftësues dhe zgjidhet me votë të fshehtë nga prindërit e nxënësve të atij institucioni. Sipas aktit nënligjor që rregullon zgjedhjen, themelimin dhe funksionimin e tij, ai vepron në tri nivele — shkollor, komunal dhe qendror — ndërsa në nivel shkolle përfaqëson prindërit dhe interesat e nxënësve, bashkëpunon për përmirësimin e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, ndihmon në krijimin e një mjedisi shkollor më të favorshëm dhe delegon përfaqësuesit e prindërve në organet e shkollës. Anëtarët e tij i raportojnë bazës deleguese, ndërsa kryetari i Këshillit të Prindërve të shkollës përfaqëson shkollën në këshillin komunal të prindërve [40]. Krahas kësaj, ligji ua njeh prindërve edhe të drejtën për t’i paraqitur ankesat e tyre drejtorit të institucionit, komunës dhe ministrisë lidhur me cilësinë e mësimdhënies dhe mjedisin shkollor.

Këshilli i nxënësve themelohet në çdo shkollë të nivelit 2 dhe 3 të ISCED-it dhe përbën strukturën përfaqësuese të nxënësve në nivel shkolle, komune dhe vendi. Në nivel shkolle, ai zgjidhet me votë të fshehtë sipas sistemit të delegimit nga klasat dhe ka rol jo vetëm përfaqësues, por edhe pjesëmarrës në jetën shkollore: mbron interesat dhe të drejtat e nxënësve, promovon frymën demokratike, kontribuon në përmirësimin e mjedisit mësimor, të kushteve të punës, të shëndetit, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve, merr pjesë në hartimin e planit zhvillimor dhe të politikave shkollore, si dhe organizon aktivitete kulturore e jashtëkurrikulare. Krahas kësaj, këshilli siguron edhe përfaqësimin e nxënësve në Këshillin drejtues të shkollës, ndonëse përfaqësuesit e nxënësve nuk marrin pjesë në diskutimet që lidhen me çështje të ndjeshme të personelit ose me raste personale të nxënësve të tjerë. [5], [41]

Drejtori dhe zëvendësdrejtori përbëjnë personelin udhëheqës të shkollës. Ligji i njeh drejtorit përgjegjësi ekzekutive në menaxhimin dhe administrimin e përgjithshëm të institucionit, duke përfshirë çështjet disiplinore të nxënësve, detyrat që lidhen me personelin, përdorimin e sistemit të informatave për menaxhimin e arsimit, ruajtjen e dokumentacionit dhe detyrat që kanë të bëjnë me kurrikulën dhe funksionimin e përgjithshëm të institucionit. Kriteret dhe procedura për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve aktualisht rregullohen me Rregulloren (QRK) Nr. 19/2024 [42]. Rregullorja e vendos këtë proces në kuadër të një konkursi publik, të hapur dhe konkurrues, të bazuar në parimet e meritës, mundësive të barabarta, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë gjinor dhe të komuniteteve jo shumicë. Ajo gjithashtu e bën të qartë se drejtorët dhe zëvendësdrejtorët konsiderohen nëpunës të shërbimit publik dhe i nënshtrohen si legjislacionit arsimor, ashtu edhe Ligjit për Zyrtarët Publik.

Sekretari ose administratori parashihet për institucionet arsimore dhe aftësuese me më shumë se 500 nxënës, ndërsa komuna mund të vendosë ta emërojë një të tillë edhe në institucione më të vogla. Ai zgjidhet nga komuna përmes konkursit publik dhe kompetencat e tij përcaktohen nga komuna në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo pozitë ka funksion mbështetës administrativ dhe ndihmon funksionimin e rregullt të shkollës në aspektet organizative dhe dokumentare. [5]

2. Arsimi i lartë

Qeverisja dhe administrimi i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë rregullohen kryesisht përmes statutit të secilit institucion, me të cilin përcaktohet organizimi, menaxhimi dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese, por shkalla e përcaktimit ligjor është më e madhe në sektorin publik sesa në atë privat. [6]

Sektori publik

Për institucionet publike të arsimit të lartë, funksionimi dhe menaxhimi përcaktohen me statut të propozuar nga ministria dhe të miratuar nga Kuvendi. Statuti duhet të përmbajë dispozita që, në rastin e universiteteve, i japin Senatit ose një strukture të barasvlershme përgjegjësi kryesore për këshillim dhe vendimmarrje në çështjet akademike, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të zgjedhur të stafit akademik dhe të studentëve. Po ashtu, statuti i çdo institucioni publik duhet të garantojë konsultim me personelin mësimor dhe me studentët për çështjet akademike.

Në rrafshin institucional, Këshilli Drejtues është autoriteti kryesor qeverisës i institucionit të arsimit të lartë që merr fonde publike. Ligji përcakton përbërjen bazë të tij, duke paraparë që ai të ketë jo më pak se pesë dhe jo më shumë se nëntë anëtarë. Një pjesë e anëtarëve emërohen nga ministria në interes të përgjithshëm, por numri i tyre nuk mund të kalojë gjysmën e përbërjes së përgjithshme; pjesa tjetër zgjidhet sipas procedurës së përcaktuar në statut. Anëtarët veprojnë në cilësi individuale dhe jo si delegatë të grupeve të veçanta, ndërsa kryesuesi dhe zëvendëskryesuesi zgjidhen nga radhët e anëtarëve që nuk janë as punonjës e as studentë të institucionit. Këshilli Drejtues ka edhe rol të rëndësishëm strategjik, sepse harton planin strategjik trevjeçar, e përditëson atë çdo vit dhe kujdeset për publikimin e raportit vjetor mbi punën e institucionit.

Ligji përcakton se autoriteti kryesor menaxherial i një universiteti publik është rektori. Ai zgjidhet nga Këshilli Drejtues me shumicë absolute të numrit të përgjithshëm të votave, pas konkursit publik, vlerësimit nga një komision profesional dhe intervistimit nga i tërë Këshilli Drejtues. Për institucionet tjera, përveç universiteteve, autoriteti kryesor menaxhues përcaktohet në statut, i cili duhet të saktësojë edhe procedurat e zgjedhjes dhe emërimit, mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarëve menaxhues.

Në praktikë, institucionit publikë kanë edhe nivele të tjera të administrimit dhe qeverisjes, siç ilustrohet nga shembulli i Universitetit të Prishtinës, institucionit më të vjetër të arsimit të lartë në Kosovë. Në frymën e Ligjit, Statuti i Universitetit përcakton se autoritetet kryesore qeverisëse dhe menaxhuese të universitetit janë Këshilli drejtues, Senati dhe rektori. Këshilli drejtues është organi mbikëqyrës dhe strategjik për çështje buxhetore e institucionale, Senati është organi më i lartë akademik, ndërsa rektori është autoriteti kryesor menaxhues dhe përfaqësuesi ligjor e institucional i universitetit. [43]

Përveç rektorit, në Universitetin e Prishtinës emërohen edhe deri në pesë prorektorë. Ata emërohen nga rektori nga radha e profesorëve të universitetit, pasi të jetë informuar Senati, ndërsa mandati i tyre është i lidhur me atë të rektorit, me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat. Statuti parasheh që prorektorëve t’u caktohen fusha të veçanta përgjegjësie, si mësimdhënia dhe çështjet e personelit akademik, buxheti dhe financat, kërkimi shkencor dhe inovacioni, ndërkombëtarizimi, si dhe zhvillimi institucional, cilësia dhe çështjet e studentëve. [43]

Njësitë akademike të universitetit janë fakultetet. Statuti përcakton se fakulteti vepron në kuadër të kornizës institucionale të universitetit dhe angazhohet në arsimim akademik, kërkim shkencor, krijimtari artistike dhe aktivitete të tjera shërbyese e këshilluese. Brenda fakulteteve mund të krijohen departamente, si fusha të përgjithshme të shkencës ose arteve, institute për fusha të veçanta, si dhe njësi hulumtuese. Në secilin fakultet funksionon Këshilli i fakultetit, i cili është organi kryesor kolegjial për çështje akademike në nivel të njësisë. Fakulteti udhëhiqet nga dekani, të cilin mund ta ndihmojnë deri në tre prodekanë. Dekani zgjidhet nga Këshilli i fakultetit me shumicën absolute të numrit të përgjithshëm të anëtarëve dhe i propozohet Senatit për miratim për mandat katërvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat. [43]

Një element i rëndësishëm i administrimit në Universitetin e Prishtinës është edhe Administrata Qendrore. Statuti përcakton se sekretari i përgjithshëm është zyrtari më i lartë i administratës, udhëheqës i Administratës Qendrore të Universitetit, shef i sekretarëve të fakulteteve dhe i drejtorëve të departamenteve në kuadër të administratës qendrore. [43]

Sektori privat

Për institucionet privatë të arsimit të lartë, ligji ndjek një qasje më fleksibile. Statutet e tyre dhe çdo ndryshim në to miratohen nga ministria, por vetë ligji nuk ua imponon të njëjtën strukturë të hollësishme qeverisëse si institucioneve publikë. Kjo nënkupton se organizimi i organeve drejtuese dhe menaxhuese të institucionit privat përcaktohet kryesisht nga statuti i tij, në përputhje me kërkesat ligjore për licencim dhe funksionim. Megjithatë, edhe në këtë rast ligji kërkon që statuti të përcaktojë qartë strukturën e qeverisjes dhe të menaxhimit, si dhe të mundësojë pjesëmarrjen e personelit mësimdhënës dhe të studentëve në vendimmarrjen për çështjet akademike. [6]

3. Arsimi në gjuhën serbe

Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës parashikon një regjim të veçantë për arsimin në gjuhën serbe, duke e vendosur atë brenda kornizës juridike të Kosovës. [7]

Në nivelin parauniversitar, Ligji lejon që shkollat që zhvillojnë mësim në gjuhën serbe të përdorin plane e programe dhe tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë, por vetëm pas njoftimit të ministrisë përgjegjëse për arsimin në Kosovë. Nëse pas këtij njoftimi ministria nuk paraqet kundërshtim brenda tre muajve, planet, programet ose tekstet mund të përdoren në mësimdhënie. Në rast kundërshtimi, çështja i dërgohet një komisioni të pavarur, i cili shqyrton përputhshmërinë e materialit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me legjislacionin në fuqi. Ky komision përbëhet nga shtatë anëtarë: tre përfaqësues të ministrisë, tre përfaqësues të zgjedhur nga deputetët që mbajnë ulëse të rezervuara për komunitetin serb të Kosovës, dhe një anëtar i përzgjedhur nga Kryeministri i Republikës së Kosovës. [7], [44]

Në arsimin e lartë, ligji parasheh një regjim të posaçëm për Universitetin e Mitrovicës Veriore. Ai përkufizohet si institucion publik autonom i arsimit të lartë. Universiteti miraton statutin e vet, i cili duhet të rregullojë organizimin dhe qeverisjen e brendshme, si dhe procedurat dhe ndërveprimin me autoritetet publike, por ky statut i nënshtrohet shqyrtimit nga një komision i pavarur. Edhe ky komision ka shtatë anëtarë: tre përfaqësues të ministrisë, tre përfaqësues të zgjedhur nga universiteti dhe një anëtar i përzgjedhur nga Kryeministri i Republikës së Kosovës. Vendimet merren me shumicë votash, ndërsa kryesimi bëhet me rotacion ndërmjet një përfaqësuesi të universitetit dhe një përfaqësuesi të ministrisë. Komisioni vendos jo vetëm për pajtueshmërinë e statutit me legjislacionin qendror të Kosovës, por edhe për çështjet që lidhen me akreditimin e universitetit brenda sistemit universitar të Kosovës. [7], [44]

Ligji i jep edhe Komunës së Mitrovicës Veriore kompetenca të zgjeruara në raport me këtë universitet. Ajo emëron dy anëtarë në bordin prej nëntë anëtarësh të universitetit, ndërsa pesë anëtarë zgjidhen nga fakulteti ose nga organi i studentëve dhe dy të tjerë sipas statutit të universitetit. Për më tepër, komuna duhet të sigurojë që universiteti të ketë objekte dhe financim adekuat nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe nga burime të tjera institucionale. Ligji kërkon shprehimisht që fondet që vijnë nga Republika e Serbisë të jenë transparente dhe publike, ndërsa veprimet dhe burimet buxhetore të universitetit duhet të jenë në përputhje me legjislacionin e Kosovës për financat e pushtetit lokal dhe vetëqeverisjen lokale. Komuna e Mitrovicës Veriore mund edhe të bashkëpunojë me komuna të tjera për drejtimin e universitetit. [7]

1.8. Statistika për institucionet arsimore

Tabela në vijim paraqet numrin e institucioneve edukative, arsimore dhe aftësuese në Kosovë sipas niveleve të ISCED-it dhe sipas statusit të tyre juridik, publik ose privat, ndërsa numrat jepen së bashku me referencat përkatëse burimore. Për institucionet publike të niveleve ISCED 0–3 janë përdorur të dhënat statistikore të MASH-it, ndërsa për institucionet private të këtyre niveleve janë përdorur databazat e institucioneve të licencuara nga MASH-i. Për institucionet e nivelit ISCED 4 burim ka shërbyer lista e institucioneve të akredituara nga AKK që ofrojnë programe të nivelit 5 sipas KKK/EQF. Ndërkaq, për institucionet e arsimit të lartë të niveleve ISCED 6–8 janë përdorur të dhënat nga lista e publikuar nga AKA-ja. Duhet theksuar se në Kosovë nuk është akredituar asnjë institucion i arsimit të lartë që ofron programe të ciklit të shkurtër akademik (ISCED 5). Po ashtu, shifrat e paraqitura në tabelë nuk i referohen domosdoshmërisht institucioneve unike, pasi disa prej tyre mund të ofrojnë arsimim në më shumë se një nivel.

Tabela 3.1. Institucionet edukative, arsimore dhe aftësuese sipas niveleve të ISCED-it dhe statusit juridik në Kosovë

Niveli i arsimit sipas ISCED-it

Institucione

publike

Institucione

private

Edukimi në fëmijërinë e hershme (ISCED 0) 65 208
Arsimi fillor dhe i mesëm i ulët (ISCED 1-2) 848 30
Arsimi i mesëm i lartë (ISCED 3) 122 33
Qendrat burimore për fëmijë me nevoja të veçanta (ISCED 1-3) 6
Arsimi postsekondar jouniversitar (ISCED 4) 3 12
Arsimi i lartë – cikli i shkurtër akademik (ISCED 5)
Arsimi i lartë – nivelet Baçelor, Master dhe PhD (ISCED 6-8) 9 15

Burimi: [31], [45], [46], [47], [48]

2. Financimi i arsimit

Ky kapitull përmban informacion se si sigurohen, ndahen dhe menaxhohen mjetet për financimin e arsimit në Kosovë, si dhe format kryesore të mbështetjes financiare për përfituesit e tij. Në vijim jepet fillimisht një përmbledhje e sistemit të financimit, ndërsa mekanizmat përkatës trajtohen më hollësisht sipas sektorëve të arsimit.

Financimi i arsimit parauniversitar publik në Kosovë mbështetet në një model të kombinuar, ku përgjegjësitë ndahen ndërmjet nivelit qendror dhe atij komunal. Buxheti i shtetit mbulon shpenzimet që lidhen me administrimin qendror të arsimit dhe me investimet kapitale të nivelit qendror, ndërsa komunat financojnë ofrimin e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm kryesisht përmes Grantit Specifik për Arsim. Ky grant alokohet sipas një formule që mbështetet në numrin e nxënësve dhe në standardet e përcaktuara për raportin nxënës-mësimdhënës, personelin mbështetës, mallrat dhe shërbimet, si dhe shpenzimet kapitale. Përveç këtij granti, komunat mund të përdorin edhe burime të tjera, përfshirë grantin e përgjithshëm komunal dhe të hyrat vetanake, ndërsa institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional, mund të krijojnë edhe të ardhura nga veprimtari ekonomike dhe shërbime të veçanta.

Financimi i arsimit të lartë realizohet kryesisht përmes buxhetit të shtetit, në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe ligjeve vjetore të buxhetit. Institucionet publike të arsimit të lartë financohen edhe nga burime të tjera, si pagesat për shkollim dhe pagesat e tjera të studentëve, shërbimet komerciale, donacionet dhe kontratat për mësimdhënie, kërkime shkencore dhe këshillim. Ligji për Arsimin e Lartë parashikon që financimi i institucioneve publike të bazohet në marrëveshje shumëvjeçare të performancës, ndërsa në vitin 2024 është miratuar edhe udhëzimi administrativ për financimin bazuar në performancë. Megjithatë, në praktikë, deri në vitin 2026 financimi i arsimit të lartë ka vazhduar të mbështetet kryesisht në mekanizmat e zakonshëm buxhetorë. Krahas kësaj, shteti subvencionon edhe forma të caktuara të mbështetjes studentore, si akomodimin, ushqimin dhe skemat e bursave.

Financimi i arsimit dhe aftësimit të të rriturve mbështetet në burime publike dhe jopublike, varësisht nga lloji i programit dhe ofruesi. Programet publike financohen në kuadër të buxheteve për arsimin, arsimin dhe aftësimin profesional, punësimin dhe programe të tjera sektoriale, ndërsa arsimi kompensues në nivelet ISCED 1–2 dhe trajnimet për punëkërkues në qendrat e aftësimit profesional ofrohen pa pagesë. Për disa programe të arsimit kompensues të mesëm të lartë zbatohen tarifa të përcaktuara për regjistrim, praktikë profesionale, provime dhe certifikim. Ofruesit privatë dhe organizatat joqeveritare financohen kryesisht nga pagesat e vijuesve, fondet e projekteve dhe donacionet.

2.1. Financimi i arsimit parauniversitar

Ky seksion paraqet burimet dhe mekanizmat e financimit të arsimit parauniversitar publik dhe privat, procesin e planifikimit dhe menaxhimit të mjeteve, autonominë dhe kontrollin financiar, si dhe tarifat dhe format e mbështetjes për familjet dhe nxënësit.

1. Financimi i arsimit parauniversitar publik

Burimet kryesore të financimit të arsimit parauniversitar publik, përveç buxhetit të Qeverisë për arsim, janë: Granti Specifik për Arsim, të hyrat vetanake të krijuara nga institucionet e arsimit parauniversitar, si dhe fondet shtesë nga granti i përgjithshëm komunal, varësisht nga kapacitetet financiare lokale [5] (Figura 4.1.).

Procesi i planifikimit buxhetor në sektorin e arsimit parauniversitar zhvillohet në tri rrafshe.

Rrafshi i parë udhëhiqet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe ka të bëjë me buxhetin e arsimit nën kontrollin e autoriteteve qendrore. Zakonisht, ky buxhet përfshin mbulimin e të gjitha shpenzimeve për institucionet e arsimit parauniversitar që janë nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të MASH-it ose të agjencive vartëse, si dhe të administratës arsimore të nivelit qendror. Po ashtu, në këtë buxhet përfshihen edhe shpenzimet për projekte kapitale të nivelit qendror që u dedikohen institucioneve të arsimit parauniversitar në vend, pavarësisht nëse ato menaxhohen nga komunat ose nga MASH-i.

Rrafshi i dytë është planifikimi i Grantit Specifik për Arsim, një shumë e ndarë për komunat për të financuar koston e sigurimit të një niveli standard minimal të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm [18]. Granti përfshin koston e pagave, e cila bazohet në numrin e aprovuar të punonjësve të institucioneve të arsimit parauniversitar, si dhe shpenzimet operative dhe kapitale, të cilat përcaktohen në bazë të numrit të nxënësve, të shumëzuar me një shumë të caktuar për kokë nxënësi.

Granti përcaktohet dhe u ndahet komunave sipas formulës së alokimit të hartuar nga Komisioni i Granteve, i cili përbëhet nga: (i) Kryeministri ose përfaqësuesi i tij/saj, (ii) Ministri i Financave, (iii) Ministri i Pushtetit Lokal, (iv) një ministër tjetër i caktuar nga Qeveria, (v) kryesuesi i Komisionit të Kuvendit për Buxhet dhe (vi) katër kryetarë komunash të zgjedhur me short, njëri prej të cilëve duhet të jetë kryetar i një komune me shumicë nga komunitetet pakicë. [18]

Formula bazohet në regjistrimin e nxënësve dhe në standardet e përcaktuara nga MASH-i. Këto standarde mbështeten në Udhëzimin Administrativ (MASHT) Nr. 22/2013 për numrin maksimal të nxënësve për klasë dhe raportin mësimdhënës-nxënës [49]. Neni 3 i këtij udhëzimi administrativ përcakton parametrat për arsimin e detyrueshëm dhe arsimin e mesëm, duke përfshirë raportin mësimdhënës-nxënës prej 1:21.3 për nxënësit e komunitetit shumicë dhe 1:14.2 për nxënësit e komuniteteve joshumicë. Po ashtu, ai përcakton raportin për mësimdhënës-nxënës në zonat malore (mbi 700 m lartësi mbidetare), përkatësisht 1:14.3 për nxënësit e komunitetit shumicë dhe 1:14.2 për nxënësit e komuniteteve joshumicë. Në rastin e shkollave profesionale, raporti mësimdhënës-nxënës është 1:17.2, ndërsa për komunitetet joshumicë 1:11.5.

Në aspektin operacional, procesi ka katër hapa të përsëritur: (1) Ministria e Financave kërkon nga MASH-i parametrat dhe kriteret për Grantin; (2) MASH-i përgatit një propozim të mbështetur në parametrat e Udhëzimit adminisitrativ Nr. 22/2013 dhe në akte të tjera nënligjore (p.sh. asistentët për fëmijë me nevoja të veçanta [50], koordinatorët e cilësisë [51]), duke shtuar edhe propozime për politika të reja që nuk përfshihen në standardet ekzistuese; (3) Ministria e Financave harton alokimet komunale, të cilat përfshijnë propozimin e MASH-it së bashku me grantet e tjera sektoriale (Granti i përgjithshëm komunal dhe Granti për shëndetësi); dhe (4) Komisioni i Granteve merr vendimin përfundimtar.

Në vijim paraqitet lista e elementeve që janë marrë parasysh për formulën e alokimit të Grantit Specifik për Arsim për vitin 2026:

  1. Numri i nxënësve të regjistruar për vitin shkollor 2024/2025;

  2. Raporti nxënës-mësimdhënës për arsimin fillor dhe të mesëm për nxënësit e komunitetit shumicë 1:21.3;

  3. Raporti nxënës-mësimdhënës për arsimin fillor dhe të mesëm për nxënësit e komuniteteve pakicë 1:14.2;

  4. Raporti nxënës-mësimdhënës për arsimin parashkollor 1:12;

  5. Raporti nxënës-mësimdhënës për arsimin e mesëm profesional për nxënësit e komunitetit shumicë 1:17.2, ndërsa për nxënësit e komuniteteve pakicë 1:11.5;

  6. Raporti nxënës-mësimdhënës për zonat malore 1:14.2;

  7. Kalkulimi për stafin mësimdhënës të gjuhës angleze për klasën I dhe II;

  8. Kalkulimi për stafin teknik-administrativ: 1 staf për 630 nxënës në arsimin parafillor dhe fillor;

  9. Kalkulimi për stafin teknik-administrativ: 1 staf për 470 nxënës në arsimin e mesëm;

  10. Kalkulimi për stafin ndihmës: 1 staf (pastrues) për 170 nxënës, si dhe 1 staf për shkollë (roje);

  11. Kalkulimi i pagave dhe shtesave;

  12. Shërbimi profesional pedagogjik/psikologjik;

  13. Koordinatorët e cilësisë;

  14. Mallrat dhe shërbimet, të kalkuluara për nxënës (23 € për nxënës të komunitetit shumicë dhe 25 € për nxënës të komuniteteve pakicë) dhe për shkollë (1,500 € për shkollë parafillore dhe fillore, si dhe 3,250 € për shkollë të mesme);

  15. Kapitalet, të kalkuluara sipas kriterit prej 7 € për nxënës. [52]

Rrafshi i tretë është planifikimi i buxhetit në nivel komunal. Ky proces nënkupton integrimin e shumës së alokuar përmes Grantit Specifik për Arsim në buxhetin komunal, me mundësinë e përshtatjes në pajtim me nevojat e komunës dhe të shfrytëzimit të të hyrave komunale për mbulimin e shpenzimeve operative dhe investimeve kapitale.

2. Autonomia financiare dhe kontrolli

Komunat kanë autonomi të plotë financiare për menaxhimin e fondeve publike për arsimin parauniversitar, pavarësisht burimit të tyre. Si të gjitha organizatat buxhetore në Kosovë, ato i nënshtrohen procesit të auditimit financiar vjetor nga Zyra Kombëtare e Auditimit e cila mund të bëjë edhe auditime të jashtëzakonshme dhe tematike.

Shkollat e AAP-së lejohen të krijojnë të ardhura përmes veprimtarisë ekonomike, me mundësi të shfrytëzimit të këtyre të hyrave për nevojat e veta, përfshirë kompensimin e stafit për punë shtesë [53]. Në përgjithësi, të gjitha shkollat kanë autonomi të plotë në menaxhimin e fondeve që inkasohen nga donatorët. Vendimet për shpenzime të këtyre fondeve i merr Këshilli Drejtues i Shkollës, ndërsa kontrolli financiar mund të ushtrohet nga organet e autorizuara për auditim ose inspektim. [5]

3. Tarifat në arsimin publik

Tarifat aplikohen në institucionet publike parashkollore me qëndrim ditor dhe ato ndryshojnë nga një komunë në tjetrën, si dhe në varësi të gjendjes ekonomike të familjes. Në arsimin parafillor i cili organizohet në kuadër të shkollave publike, si dhe në arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë publik nuk aplikohen tarifa.

4. Mbështetja financiare për familjet

Ligji për Arsimin Parauniversitar përcakton obligimin e shtetit që t’i sigurojë tekstet shkollore falas për të gjithë nxënësit në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët. Procedurat e shpërndarjes dhe kthimit të teksteve të përdorura rregullohen me akt nënligjor të veçantë. [54]

Në periudhën 2023-2025, MASH-i ka aplikuar një mënyrë tjetër të sigurimit të teksteve shkollore, përmes subvencioneve që janë paguar drejtpërdrejt në llogaritë e prindërve, të cilët pastaj i kanë blerë librat vet.

Të gjithë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç që janë rezident në Kosovë kanë të drejtë në përfitim nga shtesat për fëmijë. Familjet me 1 ose 2 fëmijë – përfitojnë 20 € në muaj për secilin fëmijë. Familjet me 3 ose më shumë fëmijë – përfitojnë 30 € në muaj për secilin fëmijë. [55]

Prej vitit 2025, MASH-i aplikon një skemë për mbështetjen e familjeve me asistencë sociale, të cilave u mbulohet kostoja e kopshtit për fëmijët e moshës 3-5 vjeç. [56]

5. Mbështetja financiare për nxënësit

MASH-i dhe një numër i komunave kanë programe për dhënien e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta, të bazuara në nevojë ose në performancë. Vlen të përmendet programi i MASH-it për dhënien e bursave për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, prej të cilit çdo vit përfitojnë nga 500 nxënës.

6. Arsimi privat

Institucionet private të arsimit parauniversitar financohen nga burime jopublike, përfshirë tarifat e nxënësve, të cilat i caktojnë vetë.

2.2. Financimi i arsimit të lartë

Në këtë seksion trajtohet financimin e institucioneve të arsimit të lartë, duke përfshirë mekanizmat buxhetorë dhe financimin e bazuar në performancë, autonominë dhe kontrollin financiar, tarifat dhe format e mbështetjes financiare për studentët.

1. Financimi i institucioneve të arsimit të lartë

Në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike [57] deri më 30 prill Qeveria ia dorëzon Kuvendit Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) për vitin vijues dhe vlerësimet për dy vitet pasuese. Procedura e hartimit të KASH-it parasheh që organizatat buxhetore t’i paraqesin kërkesat e tyre buxhetore në Ministrinë e Financave, e cila, mbi këtë bazë, harton një dokument të konsoliduar që ndërlidh politikat qeverisëse me burimet financiare dhe shërben si bazë për hartimin e buxhetit për vitin vijues. Nga institucionet publike të arsimit të lartë, vetëm Universiteti i Prishtinës është organizatë buxhetore e pavarur, ndërsa për shtatë institucionet e tjera publike kërkesat buxhetore i paraqet MASH-i.

Pavarësisht ekzistimit të normës detyruese për financimin e institucioneve publike të arsimit të lartë mbi bazën e marrëveshjeve trevjeçare të performancës, të përcaktuar me nenet 20-22 të Ligjit për Arsimin e Lartë [6], financimi i këtyre institucioneve ka vazhduar të realizohet përmes mekanizmit të KASH-it dhe ligjeve vjetore të buxhetit.

Në vitin 2024, MASH-i miratoi Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2024 për financimin e institucioneve publike të arsimit të lartë bazuar në performancë [58]. Ky udhëzim rregullon financimin për institucionet publike të arsimit të lartë, duke e lidhur atë me marrëveshje trevjeçare të performancës ndërmjet MASH-it dhe secilit institucion. Sipas udhëzimit, financimi bazohet në tri kritere themelore: numrin e studentëve aktivë, programet mësimore dhe punën kërkimore. Ai përfshin kategoritë buxhetore të pagave dhe shtesave, mallrave dhe shërbimeve, shpenzimeve komunale, subvencioneve dhe transfereve, si dhe shpenzimeve kapitale, me përjashtim të infrastrukturës ndërtimore. Udhëzimi përcakton gjithashtu parimet e financimit, formulën e ndarjes së buxhetit, përmbajtjen, negocimin, miratimin, nënshkrimin, mbikëqyrjen dhe auditimin e marrëveshjeve të performancës, si dhe bashkëpunimin me Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Shtojca e tij përmban formulën e detajuar të financimit, e cila mbulon alokimin për stafin akademik, personelin administrativ, mallrat dhe shërbimet, shpenzimet kapitale për mirëmbajtje, subvencionet dhe transferet, si dhe mbështetjen për punën kërkimore-shkencore. Vetë udhëzimi parashihte zbatim të plotë nga viti 2025; megjithatë, deri në vitin 2026 ai nuk kishte filluar ende të zbatohej në praktikë.

Përveç financimit nga buxheti i shtetit, institucionet publike të arsimit të lartë sigurojnë të hyra edhe nga pagesat për shkollim dhe pagesat e tjera që bëhen nga studentët, të cilat caktohen nga MASH-i, pastaj, nga pagesat për shërbime komerciale dhe shërbime të tjera, nga donacionet, dhuratat, si dhe nga kontratat me organizma shtetërorë, ndërkombëtarë, publikë ose privatë në fushën e mësimdhënies, të kërkimeve shkencore ose të këshillimit.

2. Autonomia financiare dhe kontrolli

Institucionet publike të arsimit të lartë gëzojnë autonomi të plotë financiare për t’i shfrytëzuar mjetet e alokuara nga buxheti, si dhe ato që sigurohen nga burime të tjera. Të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë i nënshtrohen audimit financiar nga Zyra Kombëtare e Audimit.

3. Tarifat në arsimin publik

Tarifat në arsimin e lartë publik përcaktohen nga MASH-i me akt nënligjor të veçantë [59]. Prej vitit 2021, janë në fuqi këto tarifa për pagesën e semestrit:

  • Niveli baçelor (studime të rregullta) – 25 €;

  • Niveli baçelor (studime me korrespondencë) – 125 €;

  • Niveli master – 150 €;

  • Niveli i doktoratës – 500 €.

Studentët e rregullt të nivelit baçelor dhe studentët e nivelit master lirohen nga tarifa kur e regjistrojnë semestrin për herë të parë.

Me aktin nënligjor të njëjtë përcaktohen edhe pagesat për shërbime adminisitrative siç janë: paraqitja e provimit të njëjtë për më shumë se një herë, lëshimi i dokumenteve të ndryshme, etj.

4. Mbështetja financiare për studentët

Republika e Kosovës subvencionon akomodimin dhe ushqimin e studentëve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, buxheti i së cilës përfshihet në kuadër të buxhetit të MASH-it. Po ashtu, konvikte kanë edhe disa institucione të tjera publike të arsimit të lartë, ku studentët mund t’i shfrytëzojnë shërbimet me çmime të subvencionuara.

MASH-i zbaton disa skema bursash për studentë, përfshirë skemën e bazuar në ekselencë, si dhe skema që mbështesin studimet e kategorive të caktuara të popullsisë dhe studimet në profile të caktuara. Përveç kësaj, skema bursash ofrojnë edhe institucionet e arsimit të lartë, publike dhe private, si dhe komunat, disa fondacione private dhe organizata të shoqërisë civile.

5. Arsimi privat

Institucionet private të arsimit të lartë financohen nga burime jopublike, përfshirë tarifat e studentëve, të cilat i caktojnë vetë. Ligji për Arsimin e Lartë lejon edhe mundësinë e financimit të institucioneve privat të arsimit të lartë nga fondet publike; në raste të tilla, tarifat e studentëve caktohen nga MASH-i. Deri në vitin 2026, nuk ka pasur asnjë rast të financimit të ndonjë institucioni privat të arsimit të lartë nga fondet shtetërore.

2.3. Financimi i arsimit dhe aftësimit të të rriturve

Arsimi dhe aftësimi i të rriturve financohet nga burime të ndryshme publike dhe jopublike, varësisht nga lloji i programit dhe ofruesi. Në buxhetin publik nuk paraqitet si linjë e veçantë buxhetore, por përfshihet në buxhetet më të gjera të arsimit, arsimit dhe aftësimit profesional, aftësimit profesional për punëkërkues dhe programeve të tjera sektoriale. Në programet publike, financimi lidhet kryesisht me arsimin kompensues, arsimin dhe aftësimin profesional dhe trajnimet për punëkërkues në qendrat e aftësimit profesional. [60], [61]

Arsimi kompensues për të rritur në nivelet ISCED 1–2 dhe trajnimet për punëkërkues në qendrat e aftësimit profesional ofrohen pa pagesë dhe financohen nga buxheti publik. Ofrimi pa pagesë zbatohet edhe për disa kategori të vijuesve në arsimin e mesëm të lartë profesional, përfshirë përfituesit e asistencës sociale, fëmijët e veteranëve të luftës dhe personat me aftësi të kufizuara. Po ashtu, institucione publike si IKAP-i dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike ofrojnë trajnime për ngritje dhe përditësim të shkathtësive për kategori të caktuara të punonjësve të sektorit publik. [61]

Një pjesë e arsimit dhe aftësimit të të rriturve financohet drejtpërdrejt nga vijuesit. Në arsimin kompensues të mesëm të lartë tarifat për kandidatët që ndjekin programe të tilla janë: 100 € për regjistrimin vjetor, 50 € për praktikën profesionale, 10 € për provimin diferencial dhe 50 € për provimin përfundimtar, certifikatën ose diplomën. [62]

Përveç institucioneve publike, arsimi dhe aftësimi i të rriturve ofrohet edhe nga ofrues privatë, organizata joqeveritare dhe projekte të mbështetura nga donatorët. Në këto raste, financimi mund të vijë nga pagesat e vijuesve, nga fondet e projekteve, nga donacionet ose nga marrëveshje të tjera financimi, varësisht nga natyra e programit dhe ofruesi.