GEOGEBRA

GEOGEBRA

nstituti GeoGebra i Prishtinës synonte që përmes veprimtarive të ndryshme të fuqizojë nxënësit/studentët dhe mësimdhënësit e të gjitha niveleve ta mësojnë dhe ta organizojnë mësimdhënien e matematikës përmes shfrytëzimit falas të softuerit dhe materialeve interaktive të cilat përgatiten nga komuniteti ndërkombëtar i mësimdhënësve dhe publikohen në faqen e internetit www.geogebra.org . Qëllimi kryesor i programit të GeoGebrës ishte avancimi i mësimdhënies dhe të nxënit të matematikës. Ky qëllim synohej të arrihej përmes:

  • Organizimit të trajnimeve për mësimdhënës dhe studentë të shkollave të mesme të larta dhe fakulteteve;
  • Zhvillimit dhe shpërndarjes së modeleve të ndryshme për prezantimin e koncepteve të ndryshme matematikore dhe mënyrave të zgjidhjes së detyrave në këtë lëndë;
  • Pjesëmarrjes në takime dhe konferenca të ndryshme.Aktivitete dhe të arriturat kryesore të projektit ishin:
  1. Përkthimi në Gjuhën Shqipe i udhëzuesit: KEC angazhoi një ekspert të përdorimit të programit GeoGebra për ta përkthyer në Gjuhën Shqipe udhëzuesin e përdorimit të tij. Kjo u bë me qëllim që të mundësohet shfrytëzimi i programit të GeoGebra edhe nga mësimdhënësit e matematikës të cilët kanë problem të komunikimit në Gjuhën Angleze.
  2. Pjesëmarrja në konferenca të ndryshme: Për të promovuar themelimin e IGP dhe programin GeoGebra për një komunitet sa më të gjerë të mësimdhënësve të matematikës, KEC mori pjesë në konferencën njëditore të matematikës të organizuar më 23 mars 2012 nga Universiteti Amerikan i Kosovës. Në këtë konferencë u prezantua programi i GeoGebrës dhe u dhanë sqarime lidhur me mënyrat e përdorimit të tij. Për të vënë kontaktet me Institutin Ndërkombëtar të GeoGebrës dhe kuptuar më mirë format e bashkëpunimit në të ardhmen, koordinatorja e programit morri pjesë në konferencën vjetore ndërkombëtare të IGI të mbajtur më 20-23 shtator 2012 në Varshavë në Poloni.
  3. Aftësimi i mësimdhënësve dhe studentëve për përdorim të GeoGebrës: KEC ka organizuar disa seminare për aftësimin e mësimdhënësve dhe studentëve për përdorimin efikas të programit të GeoGebrës.
  4. Përgatitja e mësimeve model: Njëri nga kriteret për certifikim të programit të GeoGebra është përgatitja e mësimeve model nga pjesëmarrësit. Gjatë vitit 2013, 82 mësimdhënës kanë përgatitur mësime model dhe kanë fituar të drejtën për certifikim. Të gjitha mësimet model janë duke u ruajtur në bazën e të dhënave të programit. Mësimet më të suksesshme janë bërë pjesë e udhëzuesit dhe shfrytëzohen gjatë organizimit të trajnimeve më mësimdhënës.
  • Periudha e implementimit
    01/02/2012 deri 15/09/2013
  • Personeli
    Melinda Mula
  • Partnerët dhe Donatorët

    Caritas Luxemburg

  • Research