Më mëso mua (School Me)

Përshkrimi

Qëllimi i këtij projekti është aftësimi i mësimdhënësve për të zhvilluar kompetencat e të nxënit të nxënësve të përcaktuara në Kornizën e Kurrikulës së Kosovës përmes shfrytëzimit të plaformës digjitale SchoolMe (Më mëso mua), si dhe të burimeve të tjera online në procesin mësimor.

Aktivitetet kryesore të projektit përfshijnë:

  1. Përzgjedhja e 15 shkollave nga vendet e ndryshme të Kosovës për të zbatuar projektin Më mëso mua (SchoolMe)

KEC në bashkëpunim me MASHT do të bëjnë hartimin e kritereve për përzgjedhjen e 15 shkollave në të cilat do të pilotohet projekti. Disa nga kriteret që do të merren parasysh gjatë përzgjedhjes së shkollave janë shpërndarja gjeografike e tyre (shkolla nga viset urbane dhe rurale të qyteteve të ndryshme të Kosovës), madhësia e shkollave (të mëdha dhe të vogla), mundësitë e qasjes në internet, gatishmëria e drejtorëve dhe mësimdhënësve për zbatimin e risive në procesin mësimor, gatishmëria e DKA për bashkëfinancim, etj. Pas hartimit të kritereve, KEC do të bashkëpunojë me DKA për të përgatitur listën e shkollave në të cilat do të pilotohet ky projekt.

  1. Themelimi i një grupi me koordinatorë shkollorë për zbatim të projektit

KEC do të themelojë një grup prej 15 veta, me nga një përfaqësues për secilën shkollë, i cili do të koordinojë bashkëpunimin në mes të KEC dhe shkollës përkatëse gjatë zbatimit të projektit. Grupi me koordinatorë shkollorë do të takohet në baza periodike në KEC për të diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e zbatimit të projektit në shkollat e tyre. Po ashtu grupi do të jetë përgjegjës për krijimin e një rrjeti të shkollave që zbatojnë projektin SchoolMe, si dhe për publikimin e rasteve të suksesshme të zbatimit të projektit në shkolla.

  1. Përgatitja e manualit të trajnimit për ndërtimin e kapaciteteve të shkollave për shfrytëzimin e platformës digjitale

KEC në bashkëpunim me përfaqësuesit e SchoolMe do të përgatisë modulin e trajnimit për ndërtimin e kapacitetit të shkollave për shfrytëzim të platformës digjitale, si dhe për përgatitjen e materialeve që do të pasurojnë atë. Moduli do të përgatitet për të përfshirë tema të ndryshme që do të prezantohen gjatë një trajnimi 3-ditor, i cili do të organizohet me përfaqësues të shkollave pjesëmarrësve në projekt.

  1. Ndërtimi i kapaciteteve të shkollave për përdorimin e platformës digjitale dhe pasurimin e saj

KEC në bashkëpunim me drejtorët e shkollave pjesëmarrëse në projekt do të përzgjedhë nga 25 mësimdhënës për secilën shkollë pjesëmarrëse në projekt për të marrë pjesë në trajnimin 3-ditor që do të organizohet në kuadër të projektit. Trajnimi do të mundësojë aftësimin e mësimdhënësve për shfrytëzimin e platformës digjitale, si dhe për përgatitje të materialeve që do të mundësojnë pasurimin e saj. Trajnimet do të organizohen në bazë shkolle me qëllim që të fuqizohet bashkëpunimi ndërmjet kolegëve për zbatim të platformës digjitale dhe pasurim të saj. Mësimdhënsit e trajnuar do të ndihmojnë mësimdhënësit e tjerë të shkollës së tyre për të përdorur pltaformën digjitale gjatë procesit mësimor.

  1. Anëtarësimi i shkollave në platformë digjitale

KEC në bashkëpunim me drejtorët e shkollave do të mbledhë të dhënat e mësimdhënësve dhe të nxënësve në një databazë dhe do t’ia dorëzojë ato përfaqësuesve të SchoolMe për të mundësuar lidhjen e tyre me platformën digjitale. Po ashtu, KEC do të kujdeset që përfaqësuesit e SchoolMe të bëjnë anëtarësimin në platformën digjitale SchoolMe të të gjithë mësimdhënësve dhe të 500 nxënësve të 15 shkollave pjesëmarrëse në projekt deri në fund të gushtit 2016, në mënyrë që të mundësohet shfrytëzimi i platformës me rastin e fillimit të vitit shkollor 2016/2017 dhe vazhdimi i shfrytëzimit të saj gjatë vitit shkollor 2017/2018.

  1. Hartimi i kornizës së monitorimit

Shfrytëzimi i platformës digjitale në procesin mësimor realizohet për herë të parë në Kosovë, prandaj është më rëndësi të veçantë të sigurohet monitorimi i këtij procesi në mënyrë që të përcillet zbatimi i tij. Për këtë arsye në kuadër të projektit do të hartohet një kornizë e monitorimit, e cila do të përmbajë metodologjinë e monitorimit, instrumentet, periudhat e monitorimit, si dhe format e raportimit. Monitorimi i shfrytëzimit të platformës digjitale në procesin mësimor ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse siguron informacion se sa ndikon ajo në krijimin e një klime më të përshtatshme gjatë procesit mësimor, në motivimin e nxënësve për të nxënë, si dhe në zhvillimin e kompetencave të caktuara të nxënësve.

  1. Organizimi i procesit të monitorimit të shkollave pjesëmarrëse në projekt

Në bazë të kornizës së monitorimit, KEC do të organizojë monitorimin e shkollave pjesëmarrëse në projekt. Secila nga 15 shkollat do të monitorohet nga 3 ditë brenda 4 gjysmë-vjetorëve, në mënyrë që të fitohet një informacion i qartë lidhur me përdorimin e platformës digjitale gjatë procesit mësimor nga ana e mësimdhënësve. Monitorimi do të realizohet duke u bazuar në formularët e monitorimit.

  1. Organizimi i vizitës studimore në Moldavi

Shfrytëzimi i platformës digjitale në procesin mësimor është risi në Kosovë, prandaj është mirë që të përfitohet nga përvojat e shteteve që kanë filluar implementimin e projekteve të ngjashme në vendet e tyre. Një rast i mirë është Moldavia, e cila ka realizuar një projekt të financuar nga OSI për përgatitjen e 29 laboratorëve për e-learning. Një ekip prej 5-6 ekspertëve të përbërë nga përfaqësues të KEC, MASHT, të DKA-ve do të qëndrojnë 3-4 ditë në Moldavi në mënyrë që të përfitojnë nga përvoja e këtij vendi në shfrytëzimin e laboratorëve e-learning në procesin mësimor.

Rezultatet e pritura:

  • Mësimdhënësit 15 shkollave në Kosovë shfrytëzojnë platformën digjitale SchoolMe në procesin mësimor për të zhvilluar kompetencat e të nxënit të nxënësve që janë pjesë e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës.
  • Nxënësit e 15 shkollave në Kosovë zhvillojnë shkathtësitë e shfrytëzimit të platformës digjitale SchoolMe në procesin e të nxënit dhe të vet-vlerësimit të njohurive të fituara përmes testeve online.
  • Mësimdhënësit e shkollave pjesëmarrëse në projekt do të përgatisin modele të mësimeve online për të pasuruar platformën digjitale me përmbajtje mësimore që mundësojnë zbatimin e Konizës së Kurrikulës së Kosovës në fusha të ndryshme mësimore.

Partnerët dhe Donatorët