GRANTET PËR ZHVILLIMIN E SHKOLLAVE

GRANTET PËR ZHVILLIMIN E SHKOLLAVE

Qeveria e Kosovës ka marrë një kredi nga Banka Botërore për të implementuar Projektin për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit në Kosovë (ESIP) i cili ka për qëllim të mbështes reformat në sektorin e arsimit të Kosovës. Grantet për Zhvillimin e Shkollave (GZhSh) është nën-komponent i projektit ESIP i cili implementohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nëpërmjet Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC).

Projekti për Grantet për Zhvillimin e Shkollave (GZhSh) ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të shkollave që financohen me fonde publike që t’i planifikojnë dhe t’i menaxhojnë burimet si dhe ta promovojnë angazhimin qytetar përmes pjesëmarrjes së mësimdhënësve, prindërve dhe komunitetit në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e aktiviteteve të shkollës. Ky nën-komponent do të vazhdojë t’i ngritë kapacitetet e drejtuesve të shkollave në planifikim, menaxhim të financave, prokurim dhe monitorim pas një përvoje të mirë në kuadër të projektit të kaluar (IDEP) ku patën përfituar grante rreth 207 shkolla.

Në mënyrë të veçantë, objektivat e nën-komponentit të GZhSh-ve janë:

  • Forcimi i sistemit të planifikimit zhvillimor të shkollave,
  • Përkrahja e shkollave të përzgjedhura fillore për të përgatitur dhe zbatuar plane shumëvjeçare për zhvillimin e shkollave (PZhSh), si dhe ofrimi i trajnimeve për menaxhim, planifikim dhe vetëvlerësim; dhe
  • Financimi i shkollave, të cilat i përmbushin kriteret, me grante për zhvillimin e shkollave (GZhSh) në shumën në barasvlerë prej 9,000 deri 15,000 dollarëve amerikanë (afërsisht 8,500 deri 14,000 euro) për shkollat e zgjedhura pa konkurs, dhe me 10,000 dollarë amerikanë (rreth 9,300 euro) për shkollat e zgjedhura me konkurs.

Ndarja e granteve bazohet në kritere që kanë për synim përzgjedhjen e shkollave në viset rurale dhe në zonat e thella, të cilat kanë proporcion më të lartë të grupeve me probleme socio-ekonomike. Shkollat që përzgjidhen pritet të përgatitin PZhSh, në të cilat e paraqesin strategjinë e tyre për përmirësimin e cilësisë së veprimtarisë së mësimdhënies dhe mësim-nxënies në shkollat e tyre, dhe në bazë të së cilave do të financohen në kuadër të skemës së GZhSh-ve. Të përzgjedhura janë 140 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta (klasat 0-9), të cilat nuk kanë përfituar grante në kuadër të projektit të mëparshme për Zhvillimin institucional të arsimit (IDEP), dhe të cilat do të mund të përfitojnë grante pa konkurs në kuadër të metodës me përzgjedhje.

Edhe 20 shkolla të tjera fillore dhe të mesme të ulëta prej zonave rurale dhe urbane (klasat 0-9), të cilat kanë përfituar më parë grante në kuadër të projektit IDEP, do të mund të dorëzojnë projekt-propozime në kuadër të skemës paralele të granteve përmes konkursit apo konkurrencës. GZhSh-të do të ndërlidhen, për aq sa është e mundur, me reformat aktuale, si me trajnimin e mësimdhënësve për ta mbështetur procesin e certifikimit apo të vlerësimit të nxënësve (të cilat janë pjesë e komponentit 2 të projektit ESIP).

Puna do të bashkërendohej edhe me nismat e përkrahura nga partnerë të tjerë zhvillimor në fushën e arsimit. Shkollat me konkurs nuk do t’i nënshtrohen kritereve paraprake të përzgjedhjes sikur shkollat pa konkurs. Megjithatë, ato duhet të jenë përfituese paraprake në kuadër të projektit IDEP dhe se mund të jenë si rurale ashtu edhe urbane. Grantet jepen kryesisht në bazë të meritës, d.m.th. në bazë të cilësisë së projekt-propozimeve të tyre.

  • Periudha e implementimit
    05/06/2017 deri 31/07/2021
  • Personeli
    Melinda Mula
  • Partnerët dhe Donatorët

    Banka Botërore

    Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT)

  • Research