THIRRJE PËR PROJEKT PROPOZIME NGA SHKOLLAT PROFESIONALE DHE QENDRAT PËR AFTËSIM PROFESIONAL NË KOSOVË  

Data e publikimit

VACANCY ANNOUNCEMENT (8)

Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në kuadër të projektit Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim – KEEN të financuar nga Bashkimi Evropian fton të gjitha shkollat profesionale dhe qendrat për aftësim profesional (QAP) në Kosovë të aplikojnë me projekt propozimet e tyre të cilat kanë për qëllim krijimin apo zgjerimin e bashkëpunimit të tyre me bizneset. Kohëzgjatja e projekteve nuk mund të jetë më e shkurtër se 6 muaj, dhe më e gjatë se 12 muaj.

Aktivitetet të cilat mund të propozohen për mbështetje sipas kësaj thirrje duhet të synojnë krijimin apo zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet shkollave profesionale/qendrave për aftësim profesional me bizneset. Shkollat dhe QAP-at inkurajohen të propozojnë aktivitete të rëndësishme dhe inovative të cilat mund të përfshijnë, por nuk janë të kufizuara në aktivitetet e mëposhtme:

 Identifikimin dhe angazhimin e bizneseve lokale relevante apo të shoqatave të biznesit për të prezantuar veprimtarinë e tyre për nxënësit/kandidatët e shkollave/QAP-ave;

– Krijimin e një programi ku të diplomuarit/të aftësuarit e suksesshëm kthehen në shkollën/qendrën e tyre për të ndarë përvojat e tyre të suksesit

 Organizimi i vizitave për nxënësit tek bizneset lokale;

– Zhvillimi i kurrikulave në konsultim me komunitetin e biznesit për të siguruar që ato të reflektojnë shkathtësitë dhe kompetencat e nevojshme;

 Ofrimi i mundësive për praktikë profesionale dhe përmirësim të cilësisë së saj;

 Zhvillimi apo përmirësimi i mekanizmave të shkollës/QAP-ës për bashkëpunim me bizneset;

– Bashkëpunimi me shkollat/QAP-at tjera me qëllim të shkëmbimit të praktikave të mira të bashkëpunimit me biznese;

 Hulumtimi i shkathtësive të kërkuara në tregun e punës;

 Organizimi i panaireve promovuese të shkollës/qendrës;

– Organizimi i trajnimeve me qëllim të zhvillimit të aftësive për bashkëpunim me biznese;

 Publikimi i materialeve mësimore, buletineve, doracakëve, revistave;

– Organizimi i aktiviteteve të cilat kanë për qëllim orientimin dhe këshillimin në karrierë të nxënësve/kandidatëve.

Projekt propozimet do të vlerësohen mbi bazën e kritereve të mëposhtme:

– Aktivitetet e propozuara janë në përputhje me qëllimin e përcaktuar në këtë thirrje;

– Aktivitetet e propozuara reflektojnë objektivat zhvillimore të shkollave/qendrave;

– Aktivitetet e propozuara janë koherente dhe në përputhje me nevojat e shkollës/qendrës;

– Aktivitetet e propozuara janë praktike dhe të qëndrueshme përtej mbështetjes së ofruar nga projekti;

– Aktivitetet e propozuara janë të realizueshme në kuadër të buxhetit për projekt të përcaktuar në këtë thirrje;

– Aktivitetet e propozuara përfshijnë nxënësit nga komunitetet pakicë dhe adresojnë nevojat e tyre;

Pas vlerësimit të aplikacioneve të pranuara nga shkollat dhe qendrat për aftësim profesional, Projekti do të përzgjedhë tetë (8) shkolla profesionale dhe dy (2) qendra për aftësim profesional, të cilat do të mbështeten për zbatimin e aktiviteteve të propozuara. Secila shkollë/qendër e aftësimit profesional e përzgjedhur do të mbështetet me shumën prej 800 EUR, të cilat do të menaxhohen nga KEC.

Shkollat e përzgjedhura do të marrin pjesë në një punëtori planifikues të organizuar nga Projekti me qëllim të shkëmbimit të ideve dhe përvojave të bashkëpunimit me biznese, si dhe zhvillimit të plotë të projekt propozimeve të tyre për krijimin apo zgjerimin e bashkëpunimit me bizneset.

Shkollat profesionale/qendrat për aftësim profesional duhet të aplikojnë përmes dorëzimit të aplikacionit sipas formës së përcaktuar në këtë thirrje. Aplikacionet e shkruara me dorë dhe të cilat nuk i përmbahen formatit të përcaktuar nuk do të pranohen.

Formën për aplikimin mund ta shkarkoni këtu.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 31 maj 2018. Aplikacionet e plotësuara duhet të dorëzohen në formë elektronike në email adresën: mgalimuna@kec-ks.org.

Shkollat/qendrat e aftësimit profesional të përzgjedhura do të njoftohen përmes e-mailit, brenda afatit kohor prej dhjetë (10) ditëve pas skadimit të afatit për aplikim.

Për çdo pyetje shtesë ose kërkesë për sqarime, ju lutem të kontaktoni Merima Galimuna, në e-mail adresën mgalimuna@kec-ks.org.